Presidenti Meta do të paraqitet në Komisionin hetimor parlamentar
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vendosur që të paraqitet në Komisionin hetimor të ngritur nga Kuvendi, ku po trajtohen shkeljet e pretenduara për rrëzimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.
Meta ka thënë se është “çmendur” këto ditë nga mesazhet e gazetarëve që duan të dinë nëse do të paraqitet përpara Komisionit.
Duke e konsideruar këtë pyetje si absurde, Meta ka thënë se mezi po pret që të kthehet në Kuvendin e Shqipërisë.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë, më ‘çmendët’ me ‘sms’-të tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, presidentit si kryetar i shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, ka thënë Meta.
Komisioni hetimor është vetëm një nga hapat që ka ndërmarrë mazhoranca, për të arritur të shkarkimi i presidentit nëse provohet shkelja e Kushtetutës me anulimin e datës së zgjedhjeve.



