Presidentja Osmani takon kryediplomatin e Somalisë – shteti që Vuçiçi pretendoi se e “ç’njohu Kosovën”

11 dhjetor 2023 | 23:04

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Somalisë, Abshir Omar Jama, me të cilin ka biseduar për raportet në mes dy vendeve.

”E lumtur që takova ministrin e Jashtëm të Somalisë. Rikonfirmuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetjen e ndërsjellë, ndërsa diskutuam edhe potencialin për një bashkëpunim më të zgjeruar në fusha të ndryshme”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Takimi mes Osmanit dhe kryediplomatit somalez, i hedh poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë një konference për media në fillim të këtij viti pretendoi se nëntë shtete tashmë e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe Somalia.

Shtetet që kishin tërhequr njohjen, sipas pretendimeve të Vuçiç-it ishin Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet.

Edhe zëdhënësi i presidencës së Maldiveve, Miuwan Mohammed, në një konferencë për media kishte njoftuar se pretendimet e Vuçiç-it dhe kryediplomatit serb, Ivica Daçiç, se arkipelagu në Azinë Jugore e ka tërhequr njohjen e Kosovës, janë të pavërteta.

“Republika e Maldiveve nuk ka vendosur që të tërhiqet nga njohja e pavarësisë së Kosovës, kjo është padyshim një gënjeshtër”, deklaroi Mohammed gjatë muajit maj, ndërsa shtoi se qeveria atje nuk do të ndërpresë lidhjet diplomatike me asnjë vend, rrjedhimisht as me Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, të hënën i kërkoi Gjykatës…