Presidentja Shiroka Pula, homologes sllovene: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik

27 nëntor 2026 | 14:18

Në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër, presidentja e Kosovës, Shiroka Pula, ka takuar homologen e saj sllovene, Nataša Pirc Musar.

“Presidentja Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë e Procesit Brdo–Brijuni, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ajo rikujtoi se Kosova është pjesë e këtij procesi që nga viti 2013, kur u mbajt takimi i parë në Slloveni”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Gjatë takimit, presidentja ka theksuar se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është plotësisht i përkushtuar ndaj agjendës evropiane.

“Ajo nënvizoi rëndësinë që procesi i integrimit në BE të bazohet në merita dhe të vlerësojë progresin dhe reformat e secilit vend. Presidentja theksoi se, krahas përshpejtimit të reformave dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës.

“Ajo vlerësoi në veçanti mbështetjen sllovene për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi deri në përmbylljen e procesit. Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në Llaushë të Skenderajt është zbuluar një pllakë përkujtimore në…