Prishtina: Faleminderit Qeveri!

03 mars 2018 | 16:01

Në mbledhjen e 33-të të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, dhe me arsyetimin e dhënë me sqarim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, FC Prishtinës i është dhënë në shfrytëzim parcela 1197-7, e cila ndodhet në Bërnicë, apo në krah të fshatit Bardhosh, afër qendrës së panairit.

Kjo parcelë e kërkuar me vite të tëra dhe e parealizuar nga asnjë qeveri qendrore apo qeveri tjetër komunale më parë, ka gëzuar jashtëzakonisht shumë klubin, administratën, punëtorët, trajnerët, futbollistët, fëmijët e FC Prishtina. Kjo është ëndrra e shumëkujt, që klubi të ketë shtëpinë e vet dhe pa dyshim prej vitit 1986 kur Komuna e Prishtinës i kishte falur stadiumin klubit, ky tani është lajmi më i madh në histori të klubit nga themelimi i saj.

“Kjo është gjë shumë e mirë. Është pasuri e madhe. Kur e themi këtë do të thotë se klubi ta ndërtojë Akademinë, ta ketë shtëpinë, sepse unë e shoh vetë se si klubi po vuan këtë periudhë sa i përket qoftë terrenit të lojës, qoftë terreneve sportive. Klubi po vuan dhe po lodhet sikur nga organizimi, por edhe nga ana ekonomike, e cila do të jetë shumë e mirë për klubin në të ardhmen. Kryesorja, nga ana profesionale, është gjë shumë e madhe që klubi ta ketë qendrën e vet ku stërvitet, grumbullohet, e shkon e diskutohet, e krejt kjo në një qendër si kjo për të cilën uroj të bëhet sa më shpejt. Shumë klube të tjera që i kanë këto qendra dhe tani mundohen t’i rinovojnë apo edhe bëjnë të tjera”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa.

“Unë personalisht u gëzova shumë jo me ata të cilët do të jenë këtu, sepse puna e trajnerëve është e tillë që sot është këtu, e nesër nuk është. Unë kam punuar edhe në klube të tjera të cilat kanë qenë shumë të shpërndara dhe shpërndarja e punëve në disa drejtime nuk është gjë e mirë”, ka deklaruar Josa.

Ndërsa drejtori sportiv i FC Prishtina, Arsim Thaqi, ka thënë se tash fëmijët në kryeqytet do të stërvitin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.

“Vendimi për ndarjen e pronës nga Qeveria e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të parcelës për FC Prishtina është lajm historik për klubin, për akademinë e futbollit të FC Prishtina, Federatën e Futbollit të Kosovës, qytetin e Prishtinës me regjion, si dhe për të gjithë trajnerët e që shpresoj se në një të ardhme shumë të shkurtër do të mund t’i planifikojnë stërvitjet dhe t’i realizojnë në mënyrë profesionale, duke u mundësuar fëmijëve të stërvitin në kushtet e barabarta si të gjithë bashkëmoshatarët në klubet evropiane”, ka thënë Thaqi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë është bërë…