Procedohet për konsultime Projektligji i pagave dhe ai për zyrtarët publikë

17 gusht 2022 | 15:36

Projektligji për pagat dhe ai për zyrtarët publikë është proceduar për konsultime.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

“Ju bëjmë me dije se sot pas një pune dinamike për shumë muaj kemi proceduar në konsultime paraprake dy projektligje: Projektligjin për pagat në sektorin publik dhe Projektligjin për zyrtarët publikë. Projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht Projektligji patjetër që reflekton edhe situatën aktuale të vendit dhe praktikën gjyqësore duke ofruar siguri juridike për parimet bazë të aplikuara”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërsa Projektligji për zyrtarët publikë sipas Sveçlës ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe. Me qëllim të rregullimit adekuat të kornizës ligjore, projektligji do t’i adresojë problemet të cilat janë shfaqur në praktikë dhe në aspektin ligjor gjatë zbatimit të ligjit në fuqi për zyrtarët publikë si dhe do të jetë në harmoni me rekomandimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai, duke shtuar se  këto projektligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës.

“Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia dhe Izraeli kanë vendosur të rivendosin plotësisht marrëdhëniet e…