“Profa”: Për titull flasim në janar

14 shtator 2018 | 18:55

Bylbyl Sokoli të enjten për “Epokën e re” nuk ka pranuar se Llapi synon titullin e kampionit në këtë kampionat. Për synimet e këtij klubi “Profa” ka thënë se mund të flasë vetëm në muajin janar.

Trajneri Bylbyl Sokoli po arrin rezultate të mira në këtë fillim të kampionatit në IPKO Superligë, por vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë. “Profa” të enjten për “Epokën e re” ka thënë se Llapi nuk e synon titullin e kampionit, por shfaqjen e lojërave të mira.

“Llapi nuk e ka synim kryesor titullin, por synimi ynë është të tregojmë lojëra sa më cilësore, pa e mohuar se kemi potencial për të luftuar për pjesën e sipërme të tabelës. Gjithçka që ne synojmë është të vijmë te rezultatet në saje të punës. Një synim më të saktë të skuadrës së Llapit mund ta jap vetëm pas përfundimit të sezonit vjeshtor, pra në muajin janar”, ka thënë Sokoli.

Trajneri i njohur në Kosovë dhe ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës është angazhuar nga kryesia e Llapit me synim që me përvojën që ka ta sjellë titullin në Podujevë. Lidhur me këtë çështje Sokoli ka deklaruar: “Titulli nuk synohet me çdo kusht, por lojërat e mira. Lojtarët po japin maksimumin dhe besoj shumë që se shpejti do të vijmë te loja që e dëshirojmë”. Llapi në ndeshjen e parë ka befasuar për të keq, pasi ka humbur nga Drenica dhe, për këtë fakt, është kritikuar mjaft shumë. Sokoli ka thënë se tri fitoret e fundit nuk janë kundërpërgjigjeje për kritikët, por detyrë e skuadrës.

“Unë së bashku me shtabin teknik dhe lojtarët po punojmë për ta nxjerrë maksimumin nga ekipi, kurse analistët dhe të tjerët kanë drejtë të kritikojnë, pasi një gjë e tillë është sportive. Me rëndësi që po bëhet një punë e mirë në klub, kurse rezultatet do të vijnë vetvetiu. Besoj se djemtë kanë potencial dhe duhet të shfrytëzohen. Gabimet që po i bëjnë duhet t’i përmirësojnë. Duke pasur parasysh cilësitë e gjithsecilit në ekipin e Llapit, mendoj se duhet të ketë përmirësime që shumë shpejt do të shihen”, ka deklaruar ai.

Ndeshjen e pestë Llapi e zhvillon në këtë fundjavë kundër Flamurtarit, që është lider dhe befasia e këtij kampionati. Sokoli lavdëron kundërshtarin, por lë të nënkuptohet se Llapi synon maksimumin e pikëve. “Flamurtari ka një kryesi, trajner dhe skuadër të mirë, prandaj nuk është rastësisht në pozitën e parë. Ne do ta analizojmë këtë ndeshje derbi dhe do të përpiqemi, me angazhimin e të gjithëve, të marrim rezultat pozitiv. Besojmë se do të kemi vazhdimësi të rezultateve, por këto mund të arrihen vetëm me një angazhim të përbashkët”, ka thënë Sokoli.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka vendosur që të mos…