Profesor Emin Z. Emini pasuron dramatologjinë me një libër të ri

28 tetor 2022 | 15:52

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve të Bukura, Degën e Dramaturgjisë,  Emin Z. Emini, ka dorëzuar në shtyp librin studimor “Evoluime historike dhe dramatologjike në dramën botërore”. Sipas recensentit të librit, prof. dr. Haqif Mulliqi, në këtë libër trajtohen veprat dramatike që kanë shënuar hapa të mëdhenj dhe të rinj në aspektin e krijimtarisë artistike-estetike, duke provuar me argumente shken­core të përcillet kurba e zhvillimeve dramatologjike si dhe ndikimet e ndryshme të formacioneve stilistike në krijimin dhe zhvillimin e dramës si letërsi, por edhe si art skenik, gjithmonë nëpërmjet trajtimit analitik të sistemeve teatrore.

Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”.

Parathënia e librit

Studimi i munguar për dramën dhe aspektet drama­tologjike të saj nis me trajtimin dhe hulumtimin e for­mave krijuese dramaturgjike duke përdorur metodën krahasuese për t’i gjetur divergjencat dhe konvergjen­cat e krijimeve letrare e skenike nëpër etapat e ndrysh­me të kësaj krijimtarie si dhe këmbëngul për t’i shenju­ar shkaqet që kanë ndikuar në lindjen e teatrit dhe dra­mës.

Faktorët që fillimisht kanë determinuar lindjen e institucionit teatror dhe aktit krijues të dramës si ob­jekt estetik janë kundruar në relacion të nevojës për ndryshimin ose mosndryshimin e tyre në kontestin his­torik (sipas formacioneve stilistike letrare) që prej lin­djes së teatrit deri te drama moderne botërore duke pro­vuar të kapen, analizohen, krahasohen dhe trajtohen drama dhe autorë që shënojnë epoka, përfaqësojnë shkolla e stile, të cilët me ndikimin e tyre kanë krijuar mundësi të reja zhvilluese dramaturgjike-dramatolo­gjike e skenike-teatrore, qoftë në aspektin e trajtimit të temave, motiveve, qoftë për mënyrën e trajtimit dhe ndërtimit të personazheve, ideve, qasjes autoriale etj.

Studimi konceptohet sipas qëllimit për t’i shënuar pikiatat më të rëndësishme e domethënëse në zhvilli­min stilistik dhe dramatologjik të dramës dhe teatrit që nga antika: nis me Prometheun e Eskilit e përfundon me Zonjën Woren të B. Shaw.

Po ashtu, është provuar të shënohen ndikimet kardi­nale të atyre faktorëve brenda të njëjtit formacion si dhe të nxirren reflektimet tyre shumëdimensionale në periudhat e ndryshme krijuese dramatike-dramatolo­gjike dhe teatrore.

Ndikimet e zhvillimeve të fushave të shumta shken­core, filozofike a teknologjike kanë kushtëzuar ndry­shimet kah hapja e perspektivave të reja për krijimet letrare e skenike si dhe për rikrijimin e dimensioneve dhe raporteve të krijuesve të dramës e të teatrit. Ridi­mensionimi, përkundër se ka zgjeruar gamën tema­tike, estetike, stilistike a të trajtimeve kritike, asnjëherë nuk ia ka dalë (as nuk do t’ia dalë) ta ndryshojë esen­cën e teatrit dhe të dramës krahasuar me gjenezën.

Mosndryshueshmëria e “tharmit” të teatrit si subli­mat i formës autentike shprehëse edhe përkundër iks formave shprehëse teatrore a dramaturgjike vjen deri në ditët tona, së paku me katarzën, ndonëse ka pasur dhe ka pretendime të mohohet efekti katarktik i tea­trit. Plasticiteti, karakteri, shumëdimensionaliteti dhe efektet katarktike janë të njëjta për aq sa raca njerëzo­re është e njëjtë sot (përkundër nivelit të zhvillimit tea­tror) krahasuar me dje (kur ka lindur teatri). Është e vërtetë se ndikimi i katarzës është shumë më i fuqi­shëm, fjala vjen, nga veprat antike greke të zhanrit të tragjedisë, të cilat trajtohen në këtë studim, që për­fshin autorët dhe veprat më emblematike të kësaj per­iudhe, (Eskli – Prometheu i lidhur; Antigona; Euri­pidi –Medea) për t’u pasuar me autorin më emblematik, W. Shekespeare me kryeveprën e dramaturgjisë botë­rore Hamleti.

Doktrina e klasicizmit francez, mendimi teorik, rre­gullat për përcaktimin e formës së artit së periudhës së neoklasicizmit si formacion krijues provohen në mënyrë praktike me veprën Sidi të P. Kornejt, ndërsa kapër­cimi i madh në të shkruarit të dramës pasqy­rohet me përfaqësuesin e madh skandinav H. Ibsen. Ky kapër­cim, në fakt, është dalje në një terren tjetër të dramës: në dramën moderne. Ky kalim, në studimin monogra­fik të dramaturgjisë botërore të Emin Z. Eminit, na shpërfaqet vetëm pasi të hetohen zhvillimit historike, stilistike dhe dramatologjike edhe në formacionin e romantizmit, nëpërmjet trajtimit shkencor të veprave të letërsisë dramatike (dhe jo vetëm) si dhe duke ana­lizuar nga shumë aspekte personazhet e tyre. Pra, nga neoklasicizmi, romantizmi, natyralizmi e deri te moder­nizmi. Studimi pasohet pastaj me Norën e Ibsenit dhe Zonjën Woren të dramatistit të madh B. Shaw.

Dramaturgjia moderne si letërsi nis me kalimin prej natyralizmit në modernizëm me Ibsenin, ndërkaq pro­duksioni teatror modern nis me sistemin e B. Brehtit, i cili sjell kapërcimin prej teatrit aristotelian, përkatësisht teatrit të Stanislavskit, në teatrin epik, gjë që specifiko­het dhe trajtohet në këtë studim për dramën botërore.

Trajtohen edhe veprat dramatike që kanë shënuar hapa të mëdhenj dhe të rinj në aspektin e krijimtarisë artistike-estetike duke provuar me argumente shken­core të përcillet kurba e zhvillimeve dramatologjike si dhe ndikimet e ndryshme të formacioneve stilistike në krijimin dhe zhvillimin e dramës si letërsi, por edhe si art skenik, gjithmonë nëpërmjet trajtimit analitik të sistemeve teatrore.

 Prof. dr. Haqif Mulliqi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrimtari Rifat Muriqi ka dorëzuar në shtyp romanin Shtjellat e…