Profesor Rexhep Qosja sot feston ditëlindjen!

25 qershor 2023 | 11:01

Begzad Baliu

Është në natyrën tonë, që duke shënuar dhe festuar ditëlindjen e tij, ta nderojmë dhe ta falënderojmë për bëmat e tij, veprat themelvënëse të tij, idetë kombëtare të tij, ligjërimet çlirimtare të tij, diskursin europian të tij!
Brezi ynë, i formuar në vitet ’80, është rritur atdhetarisht e intelektualisht prej veprës së tij kulturore, letrare e shkencore: “Anatomia e kulturës”, “Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi I – III)”, “Nocione të reja albanologjike”, “Porosia e madhe”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” etj. Vepra e tij na e ka ruajtur besimin dhe na ka bërë krenarë edhe në rrethanat më të vështira jetësore. Betejat e tij intelektuale dhe kombëtare në shtypin jugosllav (Lubjanë, Zagreb etj.) dhe në tribunat letrare e politike (Novi Sad, Beograd e Uashington) na kanë mbajtur të fortë para sulmeve ushtarake e policore të institucioneve politike, akademike e religjioze serbe.
Brezi ynë, bartës i vlerave më sublime të çlirimit kombëtar me emrin e UÇK-së, i ka rrënjët në ligjërimet kombëtare të veprës së tij, në themelet e së cilës qëndron vepra e trashëgimisë sonë materiale dhe shpirtërore: “Populli i ndaluar” e “Çështja shqiptare”.
Brezi ynë shtetformues, përtej partive politike dhe institucioneve mbështetëse ndërkombëtare, kishte edhe rrafshin orientues të veprës së tij (“Demokracia e shpërdorur”), përbërësin polemizues të tij (“Pushteti i korruptuar”), referencën europiane të tij (“Ideologjia e shpërbërjes”), së cilës i jemi përulur edhe atëherë kur kemi menduar se ia kemi kthyer shpinën!
Profesor i nderuar!
Me jetën dhe veprën mbete gjithnjë sinonim i Viktor Hygos dhe Francës së tij, prandaj asnjëherë nuk jemi dëshpëruar edhe kur të kemi parë të sulmuar a të përjashtuar. Ti ishe aty ku ishte brezi ynë, ndërsa aty ku mungoje Ti, ishte doemos dhe na fliste më fortë e më fuqishëm vepra jote!
Faleminderit Profesor për gjithë atë që i dhatë brezit tonë!
Jetë të gjatë e të lumtur!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
At Nikolla Xhufka ka deklaruar mbrëmjen e djeshme në emisioin…