Profesori amerikan: Nuk është veprim i mençur që Vuçiqi të luajë me këshilltarin kryesor të Bidenit
Profesori amerikan në Universitetin “John Hopkins” në Uashington, Edward P. Joseph ka reaguar pas ofensivës së fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Evropës lidhur me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Josephi ka thënë se më në fund Uashingtoni është duke vepruar sipas Strategjisë së Konvergjencës së publikuar muaj më parë e ku është edhe vet autor.
Profesori amerikan ka thënë se deklaratat e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të bëra në intervistën për “Kanal 10”, janë plotësisht në përputhje me konstatimet e Strategjisë së Konvergjencës ku përmenden si jetike marrja e njohjes së pavarësisë nga pesëshja e BE-së dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Ndërkohë Josephi ka përmendur edhe deklaratën e Escobar për çështjen e “Ballkanit të hapur”, nismë për të cilën ka thënë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me Procesin e Berlinit pa kushte dhe gjithëpërfshirëse.
Josephi ka thënë se mbase një qëndrim i tillë i Escobarit për “Ballkanin e hapur” ka ardhur si rezultat i veprimeve të Aleksandër Vuçiqit, i cili ka nënshkruar para syve të amerikanëve marrëveshje koordinimi të politikës së jashtme me Rusinë.
“Pse ky përqafim i vonuar i strategjisë së shëndosh? Ndoshta Vuçiqi ndihmoi Uashingtonin të shihte dritë pas nënshkrimit të paktit serbo-rus muajin e kaluar në tokën amerikane, përballë botës, me figurën e sanksionuar ruse, Lavrov. Nuk është e mençur që Vuçiqi të luajë me Jake Sullivanin në këtë mënyrë”, ka shkruar Joseph në “Twitter”.




