Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supremes zgjidh mbi 20 mijë lëndë

12 korrik 12:00

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se me miratimin e Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme mundësohet  zgjidhja e mbi 20 mijë lëndëve të procesit të privatizimit.

Ai ka treguar se me ndryshimet që janë bërë në këtë projektligj si dhe me mbështetjen buxhetore që i është siguruar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nuk ka pengesa që shpërndarjet e 20 për qindëshit dhe pagat e papaguara për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore do të realizohen sa më shpejt që është e mundur.

“Kuvendi i Kosovës sot i dha mbështetjen Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, duke përmbyllur kështu procesin e përfundimit të mandatit të EULEX-it, dhe duke mundësuar funksionimin e Dhomës së Posaçme në zgjidhjen e mbi 20 mijë lëndëve të procesit të privatizimit. Ndryshimet e propozuara nga ministria që unë drejtoj, do të mundësojnë efikasitet më të madh në trajtimin e këtyre lëndëve e rrjedhimisht edhe realizimin e pritjeve të qytetarëve që kanë pretendime legjitime nga procesi i privatizimit. Me këto ndryshime dhe mbështetjen buxhetore të cilën ia kemi siguruar KGJK-së, nuk ka pengesa që shpërndarjet e 20 për qindëshit dhe pagat e papaguara për punëtorët dhe kreditorët tjerë të ndërmarrjeve shoqërore të realizohen sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë me dije se çështja e…