Projektligji për inspektimet përplasë pozitën me opozitë

23 nëntor 2021 | 14:07

Shqyrtimi në parim i Projektligjit për inspektimet ka qenë temë diskutimi në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Opozita ka kërkuar që të tërhiqet ky projektligj, pasi sipas tyre nuk do të funksionojë në tërësi. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Projektligji për inspektimet duhet të procedohet sa më parë. “Parimisht dua të potencoj që ky projektligj të shkojë sa më parë për procedim për shkak të inspektimit të tregut dhe duke pasur parasysh rreziqet në treg nga produktet e huaja. Unë pres edhe rekomandime nga anëtarët e këtij komisioni që të japin sugjerimet e juaja”, ka thënë Hajdari.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni, deputeti Pal Lekaj, ka thënë se zyra e kryeministrit po tenton t’i kontrollojë edhe inspektimet. “Dua ta di sa i përket këtij ligji se pse  duhet të konstatohet inspektorati me një agjenci? Cilat kanë qenë mangësitë e funksionimit të inspektoratit në këtë drejtim dhe pse duhet ta marrë këtë të drejtë zyra e kryeministrit? A është politike që çdo gjë ta kontrollojë kryeministri apo pse?. Për mua është e papranueshme që i tërë inspektorati të jetë në zyrën e kryeministrit, pra kështu e shoh si rrezik”, ka thënë Lekaj.

Në përkrahje këtij projektligji ka dalë deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. Madje, ajo ka thënë se me këtë projektligj është pajtuar edhe Banka Botërore, e cila sipas saj ka premtuar përkrahje në këtë drejtim.

Pas Kusari-Lilës, fjalën e ka marrë ministrja Hajdari, e cila ka thënë se ky projektligj ka qenë duke pritur në ministrin që drejton dhe se nuk është iniciuar nga kjo qeveri. “Është shumë e nevojshme që të koordinojmë inspektorët sepse nuk mund të kryejmë punë me inspektorët e tregut nëse nuk i kemi edhe inspektorët e ushqimit dhe veterinës. Nuk është se po dëshirojmë që ta kemi në dorë, por që është projektligj që kërkon reformë në fushat inspektuese”, ka thënë Hajdari.

Në anën tjetër, kryetari i këtij Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Komisioni, Ferat Shala, ka pyetur për koston e këtij projektligj. “Nuk jam ithtar i procedimeve të projektligjeve me procedurë të shpejtë. Nëse preken 30 trupa, mundësia e nxjerrjes së një ligji të zbatueshëm do të jetë shumë e vogël. Mandej nuk u tregua kostoja e këtij projektligji. Sa është kostoja e këtij projektligji?”, ka pyetur Shala, i cili ka marrë këtë përgjigje nga ministrja Hajdari.

“Kostoja e këtij projektligji është 1 milion euro e që është ndarë nga zyra e kryeministrit, ndërsa platforma e funksionimit do të kushtojë 500 mijë euro”, ka thënë ajo.

Më tutje,  Abelard Tahiri nga PDK-ja ka kërkuar që ky projektligj të tërhiqet, pasi sipas tij, mund të jetë kundërkushtetues. “Pra është mirë që ta tërheqin, të dihen qartë kompetencat e këtij komisioni sepse besoj se mund të ndeshet me ligj, madje edhe me Kushtetutë”, ka thënë Tahiri. Pas diskutimeve, Projektligj për inspektimet nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u proceduar më tutje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot homologun e…