Promovohet libri monografik “Agimi i lirisë”

25 shtator 2018 | 18:50

Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së dëshmorit të kombit të zonës së Shalës së Bajgores, Agim Rrahim Ramadani, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të martën është bërë promovimi i librit monografik “Agimi i lirisë” i autorit Bedri Tahiri.

Redaktori i këtij libri, Atdhe Hykolli, ka thënë se në librin “Agimi i lirisë” autori e ka përshkruar Agimin si një liridashës dhe liribërës pasi, sipas tij, ka bërë shumë për lirinë e vendit.

“Autori e nis me një thënie në pjesë hyrëse ku thuhet se historia e botës është vetëm biografia e njerëzve të mëdhenj, që në mesin e të mëdhenjve është edhe Agim Ramadani, i cili nuk ka kursyer asgjë për ta sjellë lirinë e popullit. Ai ishte pjesë e çdo manifestimi që kishte të bënte me kauzën kombëtare si në grevat e minatorëve, po ashtu edhe në Lëvizjen Popullore që atë botë shqiptarët bënin përpjekje për t’i luftuar padrejtësitë serbe”, ka thënë Hykolli.

Ndërsa recensenti i librit monografik “Agimi i lirisë”, Sabahajdin Cena, ka thënë se kjo vepër arrin ta kënaqë kureshtjen e çdo lexuesi.

“Si recensent i librit jam i mendimit se vepra e sapodalë në dritë, e pajisur me një aparaturë shkencore në frymën e neopozitivizmit historik, arrin ta kënaqë kureshtjen e çdo lexuesi, por edhe objektivat e shkencëtarëve që merren me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj së cilës kohët e fundit po ngritën shumë mjegullina”, është shprehur Cena.

Ndërsa autori i librit “Agimi i lirisë”, Bedri Tahiri, ka thënë se këtë libër e ka shkruar falë ditarit të dëshmorit.

“Libri që sot po e përurojmë, në fakt ka disa autorë, unë jam vetëm një prej tyre. Atë e shkroi në rend të parë, trimi i lirisë, Agimi, me gjakun e vet, duke na i lënë edhe dy ditarë të shkëlqyer, të cilët së shpejti do ta shohin dritën”, ka thënë Tahiri.

Krejt në fund vëllai i dëshmorit, Agim Rrahim Ramadanit, Fehmiu, në emër të familjes ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në promovim e librit “Agimi i lirisë”.

(Arbisa Shefkiu)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të martën…