Promovohet monografia e Kolë Krasniqit

15 shkurt 2018 | 10:51

Më 22 shkurt promovohet monografia “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit”

 

Më 22 shkurt, në orën 11.00, në sallën “Konstandin Shpataraku” në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, bëhet promovimi i monografisë “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit” të autorit dr. Kolë Krasniqit, me parathënie nga prof. dr. Pajtim Ribaj dhe prof. James Albrecht, US

Një pjesë hyrëse nga libri:

Kosova dhe përgjithësisht rajoni i Ballkanit gjithmonë ka qenë territor ku janë takuar dhe janë ndarë civilizimet dhe ndikimet e Fuqive të Mëdha. Këtu është takuar dhe është ndarë ndikimi i kishës katolike romake nga ajo ortodokse bizantine, ndikimi i fesë islame nga krishterimi, ndikimi i interesave gjeostrategjike të botës lindore nga ato të botës perëndimore etj. Këto kryqëzime kulturore dhe fetare si dhe ndikime të interesave të ndryshme gjeostrategjike kanë ndikuar që në Kosovë, gjatë shekujve të kaluar të zhvillohen kultura të ndryshme rivale, kisha rivale dhe besime të ndryshme fetare, të cilat nganjëherë kanë qenë edhe kundërshtare të njëra-tjetrës.

Pavarësisht nga diversiteti fetar dhe kulturor, populli i Kosovës, asnjëherë deri me tani nuk i ka trajtuar këto ndarje ideologjike si kufi të ndarjes së vetë kombëtare në baza fetare, por gjithmonë ka kultivuar ndjenjat e harmonisë, tolerancës dhe të mirëkuptimit ndaj pjesëtarëve të komuniteteve të tjera fetare.

Mirëpo, fatkeqësisht, kohët e fundit ka filluar të sulmohet modeli tradicional i harmonisë dhe tolerancës fetare që është kultivuar me shekuj në Kosovë. Zanafilla e këtyre sulmeve shtrihet që në fillim të vitit 1992, kur në Bosnjë filloi lufta qytetare dhe Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Konferencës Islamike. Gjatë këtij viti filloi ardhja e pakontrolluar e disa organizatave “humanitare” në rajon dhe shkuarja e dhjetëra te rinjve kosovarë për arsimim fetar në disa qendra islamike të Lindjes së Afërt. Kështu disa individë dhe grupe të personave që erdhën si “misionarë” nga Lindja e Afërt, filluan veprimtarinë e tyre subversive në drejtim të nxitjes së ekstremizmit islamist dhe përhapjes se një ideologjie radikale në të gjitha territoret e banuara me popullsi myslimane në Ballkan.

Gjatë kësaj kohe ishte suspenduar autonomia politike në Kosovë dhe regjimi i instaluar diktatorial serb ushtronte forma të ndryshme të diskriminimit etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ky pozicion kolektiv i shqiptarëve përballë rrezikut të përbashkët nga regjimi serb, ka ndikuar në fuqizimin e ndjenjave të unitetit dhe të harmonisë kombëtare dhe të “nacionalizmit shqiptar” në përgjithësi.

Me qëllim të luftimit të “ideologjisë ekspansioniste kombëtare shqiptare”, që paraqiste rrezikun serioz për stabilitetin politik të regjimit diktatorial serb në Kosovë, ishte stimuluar përhapja e ideologjisë radikale islamiste, si një ideologji konsumuese, komprometuese dhe aleate për luftimin e nacionalizmit shqiptar.
Në këto rrethana, të karakterizuara edhe me shkatërrimin e sistemit të arsimit dhe me kriza të thella sociale, ekonomike dhe politike, u paraqit radikalizmi islamist në Kosovë, i cili u zhvillua në mënyrë të shpejtë dhe të papenguar si një proces tejet dinamik duke u manifestuar viteve të fundit edhe në formën e qartë të veprimtarisë ekstremiste dhe në disa raste edhe terroriste.

Në realitet, rrethanat e paraqitjes dhe zhvillimit të ekstremizmit islamik në Kosovë janë unikate edhe nga fakti se shumica absolute e popullit shqiptar shprehin publikisht respektin ndaj të kaluarës së tyre të krishterë dhe falënderimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ndihmat e ofruara gjatë luftës për çlirimin e vendit dhe për përkrahjen e gjithanshme për krijimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të tij.

Me qëllim të ruajtjes së vlerave demokratike, Policia e Kosovës në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë ndërmarrë një varg masash operative me qëllim të luftimit të veprimtarisë ekstremiste dhe terroriste në Kosovë. Kështu, vetëm gjatë dy viteve të fundit, Policia e Kosovës ka identifikuar 316 kosovarë, në mesin e tyre edhe dy atentatorë vetëvrasës, 44 gra dhe 29 fëmijë, që u janë bashkuar formacioneve të ISIS-it në Siri dhe në Irak. Sipas këtyre të dhënave zyrtare, Kosova në raport me numrin e saj të popullsisë, qëndron në vendin e parë në Evropë për nga numri i luftëtarëve të huaj që veprojnë në Siri dhe në Irak.

Ndërkaq, gjykatat kosovare, deri më tani kanë dënuar 57 persona dhe kanë akuzuar 93 të tjerë për kryerjen e veprave të ndryshme terroriste. Ndaj 134 personave të tjerë janë duke u zhvilluar hetimet.

Këto të dhëna zyrtare dëshmojnë se ekstremizmi islamist në Kosovë, në të gjitha format e manifestimit të vet, paraqet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Shkalla e rrezikut nga ekstremizmi islamist rritet edhe nga bashkëpunimi gjithnjë e më i dukshëm në mes grupeve të ndryshme radikale dhe atyre ekstremiste islamike në rajon, që mundësohet nga motivi, ideologjia e njëjtë fetare dhe e kaluara e përbashkët “xhihadiste”. Ky rrezik është konkretizuar edhe me kthimin e rreth 120 personave nga zonat e luftës në Siri dhe Irak dhe nga veprimi operativ i disa shërbimeve të huaja inteligjente në Kosovë. Nga kjo arsye, qeveria e Kosovës së bashku me institucionet ndërkombëtare në Kosovë, në interes te mbrojtjes së rendit demokratik dhe të drejtave të njeriut, duhet ta konsiderojnë luftën kundër ekstremizmit islamist si njërën nga detyrat e veta parësore.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Selatin Novosella “MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (6) 112.…