Protestojnë punëtorët e KEK-ut: Synimi ynë është t’i themi jo manipulimeve

15 mars 2022 | 12:58

Punëtorët e shërbimit të sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar të martën për të kërkuar të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj.

Me pankarta në duar që mbanin mbishkrimin: “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të objektit të qeverisë.

Nga qeveria po kërkohet që ta kthejnë kokën nga këta punëtorë dhe të mos diskriminohen, në të kundërtën ata kanë paralajmëruar që prej 24 marsit mund të hynë në grevë.

Kryetari i Shoqatës Sindikale Mbrojtja dhe Siguria, Haki Azemi, ka thënë se qëllimi i protestës është që t’i thonë stop manipulimeve dhe diskriminimeve.

“Na kanë plaçkitur e them me plotë gojën sepse në 2004 kur jemi ndarë, kur padrejtësisht na ka ndarë KEK-u nga gjiri vet, sot i kemi pagat e njëjta të atij viti. A ka logjikë normale, a ka njeri normal që thotë që shporta e viti 2004/2006 është e njëjta me ditët e sotit? Normal nuk ka”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës për ndryshim që t’i përgjigjet kërkesave të tyre.

“Nëse dje ka qenë e padrejtë tenderimi, ligji i Kosovës nuk ka ndryshuar prandaj ende kemi te drejtë. Lus qeverinë, bordin menxhues të realizojë kërkesat tona. Nuk kemi punëtorë vetëm pensionist, kemi edhe të rinj”, ka thënë Llumnica. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës do të organizojë kursin e…