PSD-ja: Qeveria t’i plotësojë kërkesat e punëtorëve të Postës

12 shtator 2018 | 18:08

Partia Socialdemokrate (PSD) është solidarizuar me veprimet sindikale të Postës së Kosovës dhe u ka dhënë mbështetje kërkesave të punëtorëve të saj.

“Gjendja e rëndë në Postën e Kosovës ka shkaktar dhe adresë. Për të nuk duhet të vuajnë punëtorët. Ajo vjen prej mënyrës se si kanë udhëhequr me të qeveritë njëra pas tjetrës. Planet për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë sjellë një sërë vendimesh e politikash që e kanë sjellë Postën buzë greminës: ndarja e Postës prej Telekomit të Kosovës; ndalimi i investimeve në Postë; dhe sidomos keqmenaxhimi, korrupsioni e punësimet klienteliste Kërkesa për realizimin e pagave është më e pakta që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta plotësojë karshi punëtorëve”, është thënë në reagimin e PSD-së.

Sipas këtij reagimi, Qeveria, duke qenë aksionari i vetëm i kësaj ndërmarrjeje publike duhet të angazhohet për ta trasuar rrugën e këndelljes e zhvillimit të saj.

“Kjo rrugë nuk kalon përmes masave shtrënguese, shpunësimeve e shkurtimeve që po dëshmohen si të dëmshme e jofunksionale jo vetëm në Kosovë. Kjo rrugë kalon përmes investimeve; përmes krijimit të Post- Bankës; përmes kryerjes së obligimeve ligjore që Qeveria ka ndaj postës (rimbursimi i humbjeve në shërbimin universal postar); dhe krijimit të hapësirës që Posta t’i kryejë të gjitha shërbimet që i kryejnë simotrat e saj në rajon etj. Grevat e protesta janë mjete sindikale që duhet intensifikuar në Kosovën e dominuar nga hegjemonia dhe modeli neoliberal. Ekonomia, për të qenë në shërbim të shoqërisë, duhet analizuar nga pozicioni dhe interesi shoqëror, kurse punëtoria është ndër pjesët më të rëndësishme të shoqërisë”, është thënë në këtë reagim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i…