Punëtorët e postës, në grevë

10 shtator 2018 | 11:20

Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës ka njoftuar se nga sot (e hënë) punëtorët e postës do të hyjnë në grevë të përgjithshme, e cila, sipas tyre, nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Sipas njoftimit të kësaj sindikate, në sportelet e Postës së Kosovës nuk do të ofrohet asnjë shërbim.

“Greva nuk do të ndalet deri në realizimin e pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës, garantim me shkrim nga menaxhmenti, bordi dhe Qeveria e Kosovës që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor. Qeveria e Kosovës duhet të kryejë urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës, rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Qeveria t’i mundësojë Postës t’i marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë (pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës)”, është thënë në njoftim e sindikatës.

Më tej thuhet se greva do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të Postës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kryesuar mbledhja…