Qershori, premtimi i radhës për liberalizimin e vizave

18 mars 2019 | 17:51

Qershori i këtij viti i theksuar nga Qeveria e Kosovës si një mundësi reale për liberalizimin e vizave, nga analistë të çështjeve të integrimeve evropiane shihet si diçka e pamundur të realizohet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se ekziston mundësia reale që liberalizmi të ndodhë qysh gjatë qershorit, megjithatë, ai kishte deklaruar se ka një lloj dakordimi me Bashkimin Evropian dhe institucionet e Kosovës që të mos flitet shumë në këtë temë.

Në të njëjtën temë, edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha kishte deklaruar se Kosova po pret që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se qershori nuk është muaji që Kosova mund të pret lëvizje të lirë në zonën Schengen.

“Nuk është e pritshme të ndodhë diçka në qershor, pasi që muaji qershor është muaji kur do të kemi zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe situata jo që del jashtë logjikës së vendimmarrjes në BE, por BE-ja do të ketë çështje dhe preokupime të tjera, sepse mbi bazën e atyre rezultateve do të fillojnë negociatat për konstituimin e Komisionit të ri Evropian dhe realisht e shoh shumë të vështirë një vendimmarrje në muajin qershor, vetëm nëse ka ndonjë mrekulli dhe ndonjë vendim politik i cili mund të ndodhë edhe në këtë moment”, ka thënë Ujkani.

Ujkani ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në mënyrë vazhdueshme dhe të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të shtrohet çështja, apo agjenda e procesit të liberalizimit të vizave.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/qershori-premtimi-i-radhes-per-liberalizimin-e-vizave-/29828176.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Afrim Mustafa,  ish-reporter dhe veteran i luftërave të UÇK-së…