Qeveria lë edhe shoqatat e dala nga lufta jashtë shënimit të përvjetorit të ‘Epopesë së UÇK’-së

04 mars 2024 | 12:30

Qeveria e Kosovës ka lënë jashtë Këshillit Organizativ për shënimin e “Epopesë së UÇK”-së më 5,6 dhe 7 mars shoqatat e dala nga lufta.

Një gjë të tillë e ka thënë Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Jashari në një prononcim për “Insajderin” ka thënë se do të kenë agjendë të tyren bashkë me shoqatat e tjera të dala nga lufta. Pra, “Epopeja e UÇK”-së do të shënohet ndarazi nga qeveria.

“E kemi agjendën tonë si OVL-UÇK. Jemi në bashkëpunim me komunat në nivel të Kosovës, por nuk jemi bashkë-organizim vetëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Është hera e parë që nuk kemi pasur ftesë për me qenë në Këshill Organizues. Ma herët është thënë se do të krijohet Këshilli Organizues, megjithatë ne nuk jemi ftuar”, ka thënë ai.

Jashari i dhënë merita ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, për ftesat e mëhershme në manifestimet e këtij karakteri.

Më tutje, ai e ka quajtur qeverinë Kurti “anti-UÇK”.

“Është ky vit që nuk kemi qenë pjesë e organizimit. Si organizata të dala nga lufta, nuk na kanë ftuar. Sa ka qenë ministri Armend Mehaj, çdoherë jemi ftuar, çdoherë kemi qenë pjesë e Këshillit Organizues. Ky kryeministër, kjo qeveri çdo vitet po tregohet anti-UÇK, po e atakon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata duhet t’i tregojnë arsyet pse”.

“Kjo qeveri ia ka dhënë emrin vetvetes si qeveri anti-UÇK, na vjen keq por s’kemi çka me bë”, ka thënë Jashari.

Kujtojmë se as Komuna e Skenderajt nuk është përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e “Epopesë së UÇK”-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edita Tahiri në cilësinë e kryetares së Lobit Rajonal të…