Qeveria mos ta mbajë peng Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19

04 korrik 2020 | 22:26

Pas rasteve të fundit, ku vdiqën gjashtë persona me Covid-19 në vendin tonë, ka reaguar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

“Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre.

“Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë”.

“Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi inicuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaçërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se nuk duhet besuited atyre që thonë se nuk ekziston ky virus.

“Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se situata në…