Qeveria në detyrë nuk e pranon vendimin e Kushtetueses

02 qershor 2020 | 08:50

Qeveria në detyrë e Kosovës ka pretenduar se Gjykata Kushtetuese nuk ka prezantuar përmbajtjen e saktë të punës së Komisionit Kushtetues, në rastin ku është analizuar kushtetutshmëria e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të caktuar mandatarin për formim të qeverisë së re.

Përveç atyre që janë konsideruar kundërthënie në procesin e punës së kësaj gjykate, në njoftim është thënë se Qeveria në detyrë nuk mund të pranojë këtë vendim, të cilin e ka konsideruar “absurd”.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga kjo Gjykatë të analizojë nëse Thaçi ka vepruar drejtë kur ka mandatuar Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më 28 maj, se presidenti i Kosovës nuk ka kryer shkelje kur ka marrë këtë vendim.

Mirëpo zyrtarë qeveritarë, kanë thënë përmes një komunikate për media të hënën se kjo Gjykatë, “ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të Kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017”.

“Përpos kundërthënieve në lidhje me arsyetimin e neneve të Kushtetutës, procedurës së ndjekur nga Presidenti dhe kompetencave të tij në këtë fazë, paraqitjes së shtrembëruar të përgjigjeve të fituesit të zgjedhjeve, Gjykata është kundërthënëse edhe në dispozitivin e saj. Përderisa në arsyetimin e aktgjykimit (tek përfundimet) ajo thekson se gjyqtarët me shumicë kanë votuar për përputhshmërinë e dekretit të Presidentit me “… paragrafin 4 të neni 95 të Kushtetutës”, në dispozivitin e aktgjykimit është fshirë paragrafi 4. Ky nuk mund të jetë një lëshim teknik apo riformulim gjuhësor, por është paraqitje kundërthënëse e vendimit që kanë marrë gjyqtarët. Ata ose kanë votuar për nenin 95 të Kushtetutës në tërësinë e tij ose për paragrafin 4 të nenit 95”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Po të hënën, presidenti i Kosovës, ka thënë se ka pranuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së mandatarit për formim të qeverisë së re.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të…