Qeveria në detyrë shkarkon bordin e KRU ‘Prishtina’

02 prill 2020 | 21:21

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirr mbledhjen korresponduese (mbledhja elektronike)  në të cilën janë miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë në detyrë.

“Udhëzimi Administrativ për Përcaktimin e Procedurave për Shkatërrimin e Strukturave të Paligjshme, është dokumenti i parë që ka marr miratimin nga kabineti qeveritar. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktimi i procedurave për aplikimin e mjetit juridik shkatërrimit të strukturave të paligjshme nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës lidhur me zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe aktgjykimeve të Panelit të Ankesave pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, pas shqyrtimit nga Qeveria është miratuar Vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.

Në propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, thuhet se ekzistojnë së paku katër arsye kryesore për shkarkimin e bordit të drejtorëve: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar:

  1. Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor;
  2. Hajrie Morina, drejtore;
  3. Seat Bilbani, drejtor; dhe
  4. Idriz Maliqi, drejtor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës, Amir Rrahmani do t’i bashkohet Napolit në…