Qeveria nuk i kompenson punonjësit e çerdheve as prindërit e liruar nga puna

21 shtator 2021 | 17:03

Qeveria kohë më parë, në kuadër të masave kundër Covid-19 ka marrë vendim për mbylljen e çerdheve, por që nuk ka paraparë edhe kompensimin e punonjëseve të këtij sektori privat.

Përveç kësaj, Qeveria nuk ka planifikuar t’i ndihmojë as bizneset e sektorit privat për mbulimin e pagave për punëtorët që janë të liruar të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi.

Përkundër që bizneset kanë hasur në vështirësi për sigurimin e pagave, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria nuk i kompenson punonjësit e çerdheve dhe as për prindërit e liruar nga puna nuk do të ketë mbështetje të pagave për lirimin e njërit prind nga puna.

Sigurimin e këtyre pagave janë të obliguar që ta bëjnë punëdhënësit, në këtë rast bizneset.

Murati ka premtuar se do të nxjerrin një pako mbështetëse financiare për bizneset e afektuara nga masat e fundit, jashtë Pakos për Ringjalljen Ekonomike.

“Sa i përket çështjeve të çerdheve e kuptoj që mund të ketë përbërë shqetësim për shumë familje, por ndërhyrja dhe targetimi specifik i atyre personave, duket kuptuar që në aspektin logjistik është është e vështirë që të identifikohen të gjithë ato raste, specifike që kanë pasur probleme, e po ashtu bëhet fjalë për një periudhë shumë të shkurt. Po të ishte vendim afatgjatë, do të mund të ndërtohet ndonjë mekanizëm, por me që bëhet fjalë për çështje disa javësh ka qenë e pa mundur që ne të reagojmë me kohë. Megjithatë, besoj që shumë shpejt do të kemi edhe një masë tjetër plotësuese që ka të bëj jashtë Pakos për Ringjalljen Ekonomike, marrë parasysh valën e re që kishim të pandemisë, e cila për disa familje ka vështirësuar gjendjen e përballimit me pandeminë”, ka thënë ai.

E ky vendimi i fundit qeveritar ka vënë në vështirësi bizneset për lirimin e njërit prind nga puna. Për këtë drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane në Kosovës, Nora Hasani, ka thënë për “Kosovapress” se e kanë të vështirë sigurimin e pagave për punëtorët që janë të liruar nga puna.

“Prindërit që janë të dytë të punësuar në sektorin privat, ku kërkohet ndoshta edhe prezencë fizike, punëdhënësi është i detyruar të gjejë zëvendësim për atë kohë sa mungojnë (nënat-dhe baballarët). Në këtë rast gratë që punojnë që janë nëna po rëndohen edhe për atë kohën që mungojnë në punë, punëdhënësi është i detyruar të gjejë një zëvendësim ndoshta. Dhe shtrohet pyetja kush do t’i mbulojë ato shpenzime që po i krijohen punëdhënësit”, ka thënë Hasani.

Edhe drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, ka thënë se vendimi i fundit i qeverisë nuk ka paraparë kompensimin e pagave për këto kategori.

Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 që janë në fuqi nga 30 gushti, që përfshijnë mbylljen e shkollave, kufizimin e operimit të gastronomisë, mbylljen e dasmave dhe ahengjeve, mbylljen e çerdheve dhe ora policore prej orës 22:00-05:00 mbesin në fuqi deri më 26 shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derbi andaluzian për Alexis Sanchezin. Betisi dhe Sevilla janë vënë…