Qeveria paralajmëron shtim të pranisë policore në veri

06 dhjetor 2022 | 21:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se me intensifikimin e sulmeve në veri, që sipas tij po kryhen nga “banda kriminale”, do të ketë edhe shtim të pranisë policore në këtë pjesë të shtetit.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Zyrtarët komunalë zgjedhorë, nën përcjelljen e policisë, kishin tentuar sot të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, por sipas autoriteteve, atyre iu pamundësua që të kryenin detyrat zyrtare.

Këto incidente vijnë në kohën kur KQZ-ja po vazhdon përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – pasi ato kanë mbetur pa kryetarë.

Kryetarët e këtyre katër komunave u dorëhoqën në nëntor, si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Zgjedhjet janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Por, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet e sonte dëshmuan se institucioni që ai udhëheq ka “qasje të kufizuar” në veri të vendit.

Ai shtoi se nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë, teksa kërkoi që atyre t’u ofrohet siguri.

Ndryshe, pjesëtarët e komunitetit serb që ishin pjesë e Policisë së Kosovës po ashtu u larguan nga puna në nëntor, së bashku edhe me gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët serbë në institucionet qendrore.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Muhamet…