Quinti reagon ndaj përpjekjeve për shfuqizimin e Ligjit për Specialen

04 janar 2018 | 19:05

Vendet e Quintit, ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, janë shprehur të shqetësuara për përpjekjet e vazhdueshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Po ashtu, këto vende janë shprehur të habitura edhe me vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për faljen të tre të dënuarve në rastin e familjes Hajra.

“Nuk ka asnjë arsye për ta penguar punën e Dhomave të Specializuara. E ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë së Kosovës”, është thënë në deklaratën e vendeve të Quintit.

Deklarata e plotë e vendeve të Quintit:

Jemi thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për ta zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara si dhe vendimin e presidentit për t’i falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”.

Dhomat e Specializuara në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për t’i adresuar krimet e kryera në territorin e saj.

Vendet e Quintit kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohët më të vështira. Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për ta mbështetur vendin tuaj.

Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë.

Nuk ka asnjë arsye për ta penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare.

Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrehin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë.

Në të njëjtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotësi, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë.

Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranoj mbështetjen ndërkombëtare.
Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare.

Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit. Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndërkombëtarë dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka dërguar mesazh urimi për…