Rajko Kozlin dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e civilëve në Suharekë

16 prill 2019 | 17:32

Departamenti i veçantë për krime të luftës i Gjykatës së Lartë të Beogradit e ka dënuar me 15 vjet burgim, Rajko Kozlin, ish-pjesëtar i ushtrisë jugosllave, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në Tërnje, afër Suharekës, në mars të vitit 1999.

Sipas vendimit të Gjykatës, ai së bashku me një grup ushtarësh urdhëroi, ka orkestruar dhe ka marrë pjesë në vrasjen dhe plagosjen e civilëve shqiptarë.

Ish-pjesëtari tjetër i ushtrisë jugosllave, Pavle Gavriloviq është liruar nga përgjegjësia.

Asnjë nga anëtarët e familjes së viktimave, të cilët kanë marrë pjesë në shpalljen e vendimit para gjykatës në Beograd, nuk kanë dashur të bëjnë deklarata.

Sipas prokurorisë, Gavriloviqi dhe Kozlini si pjesëtarë të ushtrisë jugosllave më 25 mars të vitit 1999, kanë marrë pjesë në sulmin në fshatin Tërnje në Kosovë ku janë vrarë 31 civilë shqiptarë mes të cilëve 12 gra dhe katër fëmijë.

Gavriloviqi i cili në atë kohë ka qenë komandant i batalionit 549 të ushtrisë, sipas prokurorisë, e ka urdhëruar sulmin pasi ka mbledhur rreth vetes vartësit e tij ndër të cilët edhe Kozlinin dhe i ka urdhëruar ata që ti vrisnin civilët duke iu thënë “nuk duhet të ketë të mbijetuar”. Sipas aktakuzës, Kozlin dhe komandantët tjerë më pas e filluan sulmin.

Në fillim të gjyqit, Gavriloviqi dhe Kozlini e kanë mohuar fajin.

Organizata joqeveritare “Fondi për të Drejtën Humanitare” në maj të vitit 2008 ngriti kallëzim penal ndaj 11 pjesëtarëve të brigadës 549 nën dyshimin se kanë kryer krim në Tërnje. Të njëjtin vit kallëzim penal ndaj tyre paraqitën edhe familjarët e viktimave. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë konsumatorë kanë thënë të kenë vërejtur se në tregun…