Rama akuzon qeverinë Kurti për dështimin e ‘Sunny Hill’-it

16 qershor 2022 | 12:17

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

Sipas Ramës, zhvendosja ka ndodhur kryekëput nga zvarritjet e qeverisë, “do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm”.

Rama në një konferencë për media ka thënë se “Sunny Hill” ka kaluar në Tiranë për shkak të zvarritjeve të Qeverisë.

“‘Sunny Hill’ nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Ky është në lajm dëshpërues për kryeqytetin por edhe për gjithë Kosovën. ‘Sunny Hill’ i takon Kosovës, i takon Prishtinës, i takon të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë. Arsye pse ky festival mbahet në Tiranë është se institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të hyjnë në kompetencat e Kuvendit Komunal. Ky festival është zhvendosur në Tiranë për shkak kryekëput të zvarritjeve të qeverisë dhe në kompetencat e kryetarit të komunës. Për fat të keq për çështje të tilla janë bërë për poenë politikë që të tentohet që vendimin ta rikthejnë në Kuvend kundër vullnetit të shumicës së asamblesë e cila përfaqëson vullnetin e sovranit në Prishtinë”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se “numri 99” është ai që i ka penguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Numrin 99 nuk e kam sjell unë, por e kam gjet këtu. Qeveria ka qenë në dijeni për marrëveshjen. Kontrata parasheh që për tre vjet me radhë nëse s’mbahet festivali për çfarëdo arsye, prona i kthehet Komunës. Hapësira e dhënë në shfrytëzim gjatë gjithë vitit do të jetë park publik i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës. Komuna do të ketë dispozicion 60 ditë në vit për organizim të festivaleve të tjera. Sa po të nënshkruhej kontrata, Komuna do ta krijonte organin mbikëqyrës. Në marrëveshje ka qenë rishikimi çdo tre vjet. Në 25 vjet, prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet Komunës”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se është paraparë që profiti i kryeqytetit nga ky festival sivjet të ishte rreth 12 deri në 15 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka reaguar për…