Rama: Ne nuk kërkojmë dhurata, të gjitha kërkesat e BE-së do të përmbushen pikë për pikë
Shqipëria mund ta përmbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky ishte mesazhi i komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua për ecurinë e vendeve të rajonit drejt integrimit evropian dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat sipas saj kanë përfituar më shumë fonde nga Plani i Rritjes, si rezultat i përmbushjes së detyrimeve dhe reformave të përcaktuara.
Ajo theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian do të jetë e hapur për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, por përparimi do të vlerësohet në bazë të meritave dhe rezultateve konkrete.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, por nënvizoi se procesi nuk varet vetëm nga puna e vendit tonë, pasi vendimi përfundimtar kërkon dakordësinë e të 27 shteteve anëtare.
Në konferencën përmbyllëse të samitit, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare nuk kërkon favore apo dhurata nga Bashkimi Evropian, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet e përcaktuara në procesin e negociatave. “Ne nuk kërkojmë dhurata, duam maksimumin e detyrave”, deklaroi Rama, duke theksuar se të gjitha kërkesat e BE-së do të përmbushen pikë për pikë.
Sipas tij, këto reforma nuk bëhen thjesht sepse i kërkon Bashkimi evropian, por sepse janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm punën për përmbushjen e kushteve, ndërsa vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të tij evropian.
Samiti në Tiranë u përqendrua te rezultatet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përshpejtimi i reformave dhe perspektiva e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.



