Rama: Turp për Bullgarinë

23 qershor 2022 | 10:42

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.

Rama foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.

“Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjithë”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani…