Ramadani paraqitet te Drita: Synojmë titullin

30 nëntor 2023 | 17:10

Zekirija Ramadani është paraqitur të enjten në krye të skuadrës së Dritës. Ai menjëherë ka bërë me dije se synimi me skuadrën e re është titulli i kampionit në Superligë. “Me punë do ta ndjekim rrugën të cilën e ndjek Drita vitet e fundit, pra titullin e kampionit”, ka thënë Ramadani.

Zekirija Ramadani është paraqitur të enjten në krye të skuadrës së Dritës nga Gjilani. “Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë që kemi arritur marrëveshje me trajnerin shkupjan Zekirija Ramadani. Ramadani është trajner i njohur në futbollin kosovar i cili ka fituar trofe me ekipet paraprake dhe me kënaqësi ka pranuar ofertën e klubit. Klubi dhe Zeka kanë nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit 2024/25 me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Dritës.

Optimizmi për sukses në konferencën për medie nuk i ka munguar trajnerit Ramadani, i cili edhe përkundër asaj që skuadra e tij e re është dhjetë pikë prapa skuadrës lidere në Superligë, Ballkanit dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar, nuk ka hezituar të tregojë se synim është titulli i kampiones.

“Jam i lumtur që kam arritur marrëveshje me Dritën. Kisha vendosur të pushoja deri në stinorin pranveror, por jo gjithnjë të jepet mundësia të jesh trajner i Dritës. E di se secili koleg imi kish pasur dëshirë të jetë në vendin tim. Falënderoj presidentët për besimin e dhënë dhe drejtorin i cili është meritor për ardhjen time këtu. Faktorë të rëndësishëm që unë pranova të vij te Drita janë klubi, serioziteti, objektivat, gjithsesi edhe kualiteti i futbollistëve. Kam besim te këta futbollistë. Me shumicën e tyre kam punuar në klubet e tjera, por edhe me të tjerët që nuk kam punuar i njoh shumë mirë. Me punë do ta ndjekim rrugën të cilën e ndjek Drita vitet e fundit, pra titullin e kampionit”, ka thënë Ramadani, i cili më pas ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime në skuadrën e Dritës.

“Ndryshimi i trajnerëve bëhet për të ndryshuar diçka brenda klubit, përndryshe drejtuesit do të kishin vazhduar me të njëjtin trajner. Unë gjithmonë mundohem t’u përshtatem futbollistëve që i kam dhe nuk jam trajner që jam rob i një moduli të lojës. Megjithatë, ndryshim patjetër se do të ketë në klub”, ka deklaruar ai.

I pyetur për dallimin e pikëve me Ballkanin, Ramadani është përgjigjur duke rikujtuar situatën pothuajse të njëjtë kur e mori drejtimin e Prishtinës: “Dua t’jua them një shembull. Në vitin 2020 me Prishtinën ishim minus 9 pikë dhe në vend të tretë kur përfundoi sezoni vjeshtor. Mirëpo tri xhiro para fundit u shpallëm kampionë. Normalisht se është një objektiv i vështirë, por besoj në punë dhe në seriozitetin e klubit”.

Trajneri Ramadani ka folur edhe për kohën e kaluar në skuadrën e Gjilanit. “Nuk merrem shumë me komente. Mbrëmë arrita marrëveshje dhe sot fillova punën me Dritën. Sa isha te Gjilani kam bërë punën time dhe kam dhënë maksimumin”, ka përfunduar Ramadani.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndalesa surprizuese ndaj Copenhagenit e prishi serinë prej 17 fitoreve…