Ramiz Alia për vrasjen e “Çaushit” të Rumanisë: Gaboi, zgjodhi rrugën revizioniste!

27 tetor 2022 | 08:43

Nga: Vasil Qesari

Sistemit socialist Lindor, po i vinte fundi .…! Shqipëria, megjithëse e quante veten jashtë kësaj loje, pësoi një goditje të rendë, sepse edhe ajo e kish pjesën e saj të diellit në atë sistem; për më tepër në kushte më të vështira ekonomike sesa gjithë vendet e tjera të Lindjes. Me situatën e krijuar, a mund të bëhej fjalë për ndonjë hap afrimi me vendet Perëndimorë? Ajo tezë dukej se qe djegur…!

Por, disa ide, fjalime e veprime të Ramiz Alisë, nisën të ngjallnin jo vetëm çudi e pështjellime, por edhe shpresa për ndryshime. I ndërgjegjshëm për krizën e falimentimin e ekonomisë së vendit, në thelb, ai e kuptonte se edhe Shqipëria nuk do të mund t’i shpëtonte ndikimit të proceseve që zhvilloheshin në vendet lindore. Qe kjo arsyeja pse, disa lëvizje të kujdesshme të tij, krijuan në opinionin e brendshëm përshtypjen se vendi po tentonte të hapej. Por, në fakt, çdo hap e manovër, bëhej mbi të gjitha për mbrojtjen e pushtetit. Në fund të fundit, prej Ramiz Alisë e Byrosë Politike që e rrethonte, s’mund të pritej më tepër.

E, përveç kësaj, ai s’mund të shkelte mbi amanetet e komandantit! Por, megjithatë, ishte e nevojshme që diçka të lëvizte. Në fund të 1987-ës, pas tri vizitash radhas të kryeministrit bavarez Franz Josef Strauss, mes Gjermanisë Federale e Shqipërisë u vendosën marrëdhënie diplomatike.

Ndërkohë, në gazetat e fjalimet zyrtare, referencat ndaj Marksit e Leninit nisën të mos citohen më. Ndërsa, në shkurt 1988, për herë të parë, Shqipëria mori pjesë në Konferencën Ballkanike të Ministrave të Jashtëm të organizuar në Beograd. Një muaj më pas, çuditërisht, u harrua të festohej përvjetori i vdekjes së Stalinit e, pak më vonë, në Tiranë u prit me nderime të mëdha Nëna e shquar Tereze …!

Fjalët që qarkullonin poshtë e lart se, vendi po jepte shenja vullneti për hapje, se frymëzues e ideator i tyre qe Ramiz Alia, se në udhëheqjen e atrofizuar staliniste ai është i vetmi që mund të bënte ndryshime, se krahu konservator me në krye panterën e zezë, bënin ç’ishte e mundur për ta penguar atë – të gjitha këto qenë tema të gjata bisedash, hamendjesh, shpresash e diskutimesh jo vetëm në qarqe intelektualësh e të rinjsh, por edhe në shtresa të caktuara të popullit e më gjerë.

Por, me gjithë shpresat, punët në vend s’shkonin hiç mirë. I shqetësuar, në Plenumin e VIII-të të Komitetit Qendror, mbajtur në shtator 1989, Ramiz Alia u mundua të justifikohej për gjendjen, duke ua hedhur fajin pasojave të situatave të turbullta në botë. Ndërkohë, përsa i përkiste situatës së brendshme, ai nuk citoi më frazat stereotipe euforike, por deklaroi se: vërtet ne nuk jetojmë në bollëk, por s’i kemi borxh askujt …! Ne jemi krenarë për lirinë tonë, për pavarësinë e sovranitetin e vendit.

Por, këto fraza, tashmë, s’ngushëllonin kurrkënd. Sepse, vendin e ka pllakosur mizëria e uria. Në popull, pakënaqësitë shtohen e shprehen hapur. Tregu është bosh. Sigurimi i një racion mishi, është privilegj i madh. (Dalin fjalë se, çmimi i gomarëve në tregun e zi rritet dita-ditës për arsye se, shitet në vend të mishit të lopës). Gjendja ka vajtur aty ku s’mban e, Ramiz Alia, s’mund të bëjë gjë për ndryshimin e saj, përveçse t’u a hedhë fajin mekanizmave të kontrollit ekonomik, që nuk funksionojnë si duhet.

Presioni për ndryshime, për të gjetur rrugëdalje, për të bërë reforma, rritet. E, Ramiz Alia, bën sikur merr masa e vepron. Por, çdo lëvizje e tij është e pavendosur dhe e mangët. Natyrisht, ai as që ka ndër mend të bëhet Gorbaçovi i Shqipërisë ! Ai s’mund të shkelë mbi betimin e Enver Hoxhës: “Ne hamë bar, por idealet s’i tradhtojmë”!

Ndërkohë, situatat në vendet e Evropës Lindore, evoluonin me ditë. Më 9 nëntor, u rrëzua murri famëkeq i Berlinit. Më tej, ngjarjet vazhduan sipas efektit domino, drejt Varshavës, Pragës, Budapestit …! Po tani? Kush e kish radhën pas tyre?

]Radiot e televizionet e huaja njoftuan për konfrontime të përgjakshme të studentëve e punëtorëve me policinë në Timishora (Rumani). Për shtypjen e tyre, ushtria ndërhyu me dhunë. Pati të vrarë e të plagosur por, demonstruesit, dolën përsëri në rrugë. Në Shqipëri, njerëzit i drejtuan sytë tek lajmet e televizionit italian, i cili, herë pas here, jepte kronika nga ngjarjet. Shumëkush pyeste: Si do vinin punët vallë, në Rumani, në një vend i cili kishte mjaft pika të përbashkëta me diktaturën shqiptare? Si do përfundonin manifestimet? Si do reagonte Çaushesku…?

Më 20 dhjetor, në Timishoarë trazirat vazhdojnë e gjendja është tejet e nderë. Megjithatë, Çaushesku s’e ndërpret vizitën e planifikuar në Iran. Ai niset me nxitim qysh në mëngjes herët. Po atë mbasdite, vizita përfundon e në mbrëmje njoftohet se presidenti do t’i drejtohet me një mesazh mbarë popullit nëpërmjet radiotelevizionit. Çaushesku, në përgjithësi, s’ka qenë kurrë ndonjë orator i zoti por, fjala e tij mbajtur në natën e 20 dhjetorit qe vërtet më katastrofalja e gjithë karrierës së tij si burrë shteti.

Ai u paraqit në ekran në këmbë e me një cope letër në dorë, i filmuar në një zyrë të Komitetit Qendror. Nga njëra anë, fare pranë, zinin vend e shoqja Elena e kryeministri Daskalesku; në anën tjetër anëtarët e Byrosë Politike. Në fjalën e tij, Çaushesku iu shmang analizës së ngjarjeve në Timishoare duke mos reshtur së hedhur rrufe mbi “tradhtarët” e vendit të cilët, në bashkëpunim me armiqtë e jashtëm, po kërcënonin tërësinë territoriale të atdheut socialist rumun.

Në mëngjesin e 21 dhjetorit, partia organizoi një miting solidariteti në sheshin para Komitetit Qendror. Militantët dhe aktivistët më të flaktë, kishin punuar derë më derë e gjithë natën, në mënyrë që të sigurohej një pjesëmarrje sa më e madhe. Në mëngjes, 100 mijë veta, me komunistët më fanatikë e punonjësit civilë të Securitate (Sigurimi i Shtetit Rumun), në ballë, ishin mbledhur për t’i shprehur edhe një herë besnikërinë shefit të madh. Ndërkohë, televizioni, kish marrë masat e duhura për transmetimin direkt të manifestimit popullor.

Aty rreth orës 13:00, Çaushesku nisi leximin e fjalimit, me një regjistër zëri të qetë e të ulët. Por, pikërisht në ato çaste, ndodhi ajo që nuk parashikohej. Një pjesë e madhe e turmës nisi të murmurijë nenë zë, duke lëshuar një “u” të gjatë kundërshtuese. Me një lëvizje të dorës, Çaushesku, u mundua të qetësojë turmën. Por, kjo nuk pati sukses. Pastaj, ai hodhi sytë përreth pa folur, me pamje të shtangur e pa jetë. Dikush, përbri tij, iu afrua e i tha pranë veshit: Sigurimi po vjen! Fjalë, të cilat, edhe pse të shqiptuara me zë të ulët, u dëgjuan nga turma, nëpërmjet mikrofonit kryesor.

Në atë çast, televizioni ndërpreu transmetimin. Por, pa kaluar pak sekonda, figura e Çausheskut u duk sërish në ekran. E shoqja, Elena, iu afrua e i tha diçka nënë zë. Pas kësaj, diktatori, si një automat nisi t’i drejtohet turmës me një “litani” premtimesh, për rritjen e rrogave të punëtorëve e kompensimeve për familjet e tyre. Ndërkohë, së largu, drejt sheshit, u dukën të vijnë tanket e nisën të dëgjohen krisma armësh …

Ajo që ndodhi atë ditë në Bukuresht, tregoi qartë se dhuna e shtypja ndaj popullit kish arritur kulmin. Por, hija e frikshme e Çausheskut s’trembte më askënd. Gjatë 24 orëve që pasuan, u duk qartë se pushteti i tij po shpërbëhej. Në rrugët e kryeqytetit nisën përleshjet e policisë me manifestues të moshave të ndryshme. Më pas, në orët e mbrëmjes, disa mijëra demonstrues okupuan sheshin para universitetit, duke ngritur barrikada e duke u venë zjarrin shumë autobusave e veturave. Aty rreth orës 23:00, radioja dha lajmin se gjenerali Milea, ministër i Mbrojtjes, kish vrarë veten.

Më pas ngjarjet precipituan. Ushtarët, të bashkuar me manifestuesit, u nisën drejt Komitetit Qendror, ku qe strehuar Çaushesku me bashkëpunëtorët e tij. Turma shpërtheu dyert e hekurta e u derdh drejt hyrjes qendrore por, në ato çaste, të gjithë shtangën kur panë që nga tarraca e ndërtesës së Komitetit Qendror u ngrit një helikopter i bardhë, i cili, pasi bëri një fluturim rrotull, u nis në drejtim të veriut.

Një orë më pas, televizioni dha lajmin se Çaushesku me Elenën ishin arrestuar pranë qytetit Tirgoviste, në veriperëndim të Bukureshtit. Më vonë, në mbrëmjen e 25 dhjetorit, televizioni transmetoi kronikën e procesit gjyqësor – ushtarak – të çiftit Çaushesku, si edhe pamjet e pushkatimit e më pas, të varrosjes së shpejtë të kufomave të tyre.

Ashtu si gjithë bota, edhe shqiptarët, nëpërmjet lajmeve e kronikave të radiove e televizioneve të huaja, ndoqën hap pas hapi ngjarjet rrëqethëse në Rumani. Ata u benë dëshmitarë të përmbysjes së një diktature, e cila qe po aq e egër sa edhe ajo e Tiranës. Në fakt, ngjashmëritë midis tyre ishin vërtet mjaft të mëdha. Të dy popujt ishin ballkanas. Me histori, tradita, psikologji e mentalitete të ngjashme. Po ashtu, me sisteme, ideologji e diktatorë të njëjtë. (Enveri, edhe pse i vdekur, fantazmën e kishte ende shumë të frikshme. Bile, edhe më tepër se ajo e Çausheskut të gjallë. Nga ana tjetër, vejusha e tij, Nexhmija, qe një shëmbëlltyrë edhe më e keqe e ligësisë, arrogancës dhe krimeve makbethiane të Elenës. E, së fundi, Securitate rumun, ish-vëlla siamez me Sigurimin e tmerrshëm shqiptar …).

Ndërkohë, nisën pëshpëritjet. Natyrisht, me ndrojtje, dyshim, frikë por edhe me shpresë. Kush e kish radhën, tani, pas Bukureshtit? A do të mbyllej, vallë, efekti domino në Lindje, me rrëzimin e Tiranisë në Tiranë…?

… Në një bisedë me Ramiz Alinë, vetëm disa ditë mbas pamjeve televizive që paraqisnin fundin tragjik të Çausheskut e bashkëshortes Elena, shefi foli: Ne e kishim parashikuar me kohë fundin e “Çaushit”. Vetë e zgjodhi rrugën revizioniste duke u larguar nga marksizmi! Mu dukën jo fort të natyrshme e bindëse ato lloj konkluzionesh. Megjithatë e pyeta: Në gazetë do të bëjmë ndonjë shkrim për këto ngjarje? S’ka pse të prononcohemi. Asgjë nuk na ka lidhur e nuk na lidh me të. Ne kemi rrugën tonë. Ashtu apo jo …?!

Në fakt, ajo siguri e qetësi në dukje, qe njëra anë e medaljes. Rënia e regjimit autoritar në Rumani e fundi i Çausheskut, shkaktuan panik në radhët e udhëheqjes së lartë, duke u dhënë zemër aksioneve antikomuniste në vend. Por, megjithatë, regjimi, ashtu si struci, s’donte të besonte se fundi i tij qe fare pranë dhe i pashmangshëm.

Në janar 1990, në disa lagje të Tiranës u shkruan parullat e para, “Enver – Hitler”, “Poshtë komunizmi”, “Duam liri”, të shoqëruara me trakte ku bëhej thirrje për përmbysjen e regjimit. Ndërkohë, në Shkodër, u organizua një demonstratë popullore ku, grupe të rinjsh, u orvatën të rrëzonin bustin e Stalinit. Sigurimi ndërhyri me dhunë, duke bërë arrestime të shumta. Më pas, në shkurt, në kryeqytet, pëshpëritej fshehtas për organizimin e një manifestimi antikomunist, i cili do të mbahej në sheshin Skendërbej. Njerëzit, po lëvizin e po shfaqin hapur e pa frikë, revoltën e pakënaqësitë…!

I trembur, regjimi nisi të ndryshojë taktikë. Herë me kërcënime e herë me lëshime. Qe pikërisht në një situatë të tillë që nisi të flitej për reforma në demokratizimin e jetës e përsosjen e legjislacionit socialist. (Për mbrojtjen gjatë proceseve gjyqësore, reformimin e sistemit juridik, lirimin e të burgosurve politikë etj.). Sipas orientimeve të reja, të gjitha këto parashikohej të shoqëroheshin me një zhvillim të mëtejshëm të shkëmbimeve me vendet e huaja, shoqëruar dhe me ripërtëritjen e forcave lëvizëse të prodhimit socialist .

Por, Plenumi i IX-të i Komitetit Qendror (janar 1990) qe ogurzi edhe pse, herë-herë, zbutja e toneve të tij s’qe veç klithma e fundit e dëshpërimit. Sipas filozofisë së tij, ngjarjet në Lindje s’kishin asgjë të përbashkët me popullin shqiptar e se … borgjezia ndërkombëtare synonte që, ngjarje kundërrevolucionare të njëjta si ato që zhvilloheshin në ato vende, të ndodhin dhe tek ne.

Megjithatë, për të dalë nga situata e për të krijuar një imazh tjetër, ish e domosdoshme të ndërrohej taktikë. Qe e nevojshme të bëheshin disa meremetime, të cilat, sipas logjikës së Partisë, jo vetëm që do shërbenin për qetësimin e gjendjes në vend, por edhe do të amortizonin sulmet e borgjezisë ndërkombëtare e cila, po bënte të pamundurën për të ndërsyer popullin në trazira e rrëmuja.

Më mars, Ramiz Alia premtoi publikisht se proceset demokratike të nisura në vend ishin të pakthyeshme. Në prill, në gazetën Zëri i Popullit u botua shkrimi Në kërkim të kohës së humbur i prof. Ylli Popës, i cili bënte thirrje për ndryshime duke njohur gabimet e së kaluarës. (Pjesa më e madhe e lexuesve i përkrahën idetë e tij, por s’qenë të pakët ata që iu drejtuan me letra Komitetit Qendror, për denoncimin e përmbajtjes së tij kundër – revolucionare).

Po në prill, në një fjalim tjetër, Ramiz Alia deklaroi se, në fushën e bujqësisë lypset të jetë vetë fshatarësia ajo, e cila duhet të gjykojë e të vendosë për rrugët dhe mënyrat e furnizimit të saj, ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë nisën të dërgohen orientime të reja për zgjerimin e oborreve, mbajtjen e bagëtive, inkurajimin e prodhimeve për tregun privat etj.

Në maj 1990, në materialet e brendshme të Partisë e më pas në shtyp, nisi të flitej lidhur me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me BRSS-në e ShBA-në. Po atë muaj, Kuvendi Popullor abrogoi ligjin famëkeq 55 për agjitacion e propagandë, si edhe atë të propagandës fetare. (Me rastin e vizitës së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, Ramiz Alia deklaroi se besimi fetar qe çështje personale e ndërgjegjes së çdo individi).

Ndërkohë, u njoftuan një varg masash të tjera për thellimin e demokratizimit të jetës në si, rihapja e Ministrisë së Drejtësisë, paisja e qytetarëve me pasaporta udhëtimi për jashtë, heqja e cilësimit të arratisjes si tradhti ndaj atdheut etj. Po ashtu, regjimi nisi të interesohej dhe për anëtarësimin në Konferencën për Sigurimin e Bashkëpunimin Evropian si edhe për nënshkrimin e Akteve të Konferencës së Helsinkit .

Reformat spektakolare deklaroheshin, po njerëzit s’shihnin ndryshime. Sigurimi vazhdonte arrestimet, ndërkohë që Partia në mbledhjet të fshehta, deklaronte se pushtetin e kishte fituar me gjak e do ta mbronte po me gjak. Pra, çdo gjë ish demagogji! Premtimet e Ramiz Alisë qenë sa për të hedhur hi syve. Në rrethana të tilla, tensioni në vend u rrit më tepër. Në Kavajë plasën trazira e përleshje me policinë. Pastaj, të tilla, pati edhe në Tiranë. Në 1 e 2 korrik, ambasadat në Tiranë u pushtuan nga mijëra qytetarë. Në tetor, Ismail Kadare, kërkoi strehim politik në Francë. Situatat ndryshonin me ditë. Vendi ziente e pritej të shpërthente.

Regjimi qe në buzë të greminës e po merrte rrokullimën drejt fundit të pashmangshëm. Në ditët e para të dhjetorit plasën protestat e studentëve. Në datën 12 të po atij muaji (12 dhjetor 1990), u krijua Partia Demokratike, partia e parë opozitare antikomuniste, e cila shënoi edhe fillimin e epokës së pluralizmit politik në Shqipëri. Në 20 shkurt 1991, mes lotëve, gëzimit e thirrjeve të popullit për Liri e Demokraci, u rrëzua dhe u hoq zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit, monumenti i diktatorit të urryer, Enver Hoxha.

Ky qe edhe fundi i natës e lëngatës së gjatë totalitare. Akti i fundit i tragjedisë rrëqethëse së një populli. Për shqiptarët po niste një epokë e re …! /Memorie.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Malisheva do të marrë krejtësisht pamje tjetër, kjo pasivetëm kanë…