Reagon këshilltari i Pacollit ndaj deklaratës së Erdoganit

01 prill 2018 | 16:47

Jetlir Zyberaj, shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan i cili ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Zyberaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojnë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan.

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar të kultivojë marrëdhënie ndërshtetërore me të gjithë partnerët ndërkombëtare, në këtë rast edhe me Turqinë.

Postimi i plotë i Jetlir Zyberaj:

Turqia është vend mik i Kosovës, vend që e ka mbështetur dhe e mbështet Kosovën në vazhdimësi.

Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdhëniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mos-përzierjes në punët e brendshme.

Ne jemi të përkushtuar të kultivojmë marrëdhëniet ndërshtetërore me të gjithë partnerët ndërkombëtare dhe me Turqinë mike.

Dihet fare mirë se Kosova është e hapur për bashkëpunim dhe dialog me Turqinë në secilën fushë, pa pasur nevojë për interferim në punët e brendshme.

Kosova ka institucionet e veta dhe ato udhëhiqen me përgjegjësi dhe respekt nga udhëheqësit e zgjedhur me votën e popullit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë pesë…