Red Bull më i shpejti, Verstappeni ‘flutoron’ në testin e parë të sezonit

22 shkurt 2024 | 13:07

Pritja po shkon drejt fundit dhe më datë 29 shkurt, kampionati më prestigjioz i automobilizmit, Formula 1 do të çelë siparin e sezonit 2024. Gjithçka do të nisë në pistën e Bahreinit, vend në të cilin aktualisht kanë nisur edhe provat e para për këtë vit, teksa në ditën e parë të testime, makina e RedBull e kampionit në fuqi të botës, Max Verstappen u konfirmua si më e shpejta.

“Tulipani” i la “targën” rivalëve në prova duke rezultuar 1.1 sekonda më i shpejtë se McLaren i britanikut, Lando Norris, teksa kohën e tretë më të mirë e realizoi spanjolli, Carlos Sainz me “kokëkuqen” e Ferrari, teksa shumë larg pritshmërive u shfaqën Leclerc e Hamilton, edhe pse duhet theksuar se ishte vetëm dita e parë e provave. Pas këtyre testeve në Bahrein, Max Verstappen u shfaq tejet i lumtur ndërsa theksoi se i kishte munguar ndjesia e të garuarit në Formula 1. Më tej tre herë kampioni i botës në Formula 1 foli edhe për makinën, teksa u shpreh se “vetura” e tij e re ishte e shpejtë, e balancuar dhe i përgjigjej mirë veprimeve të “tulipanit”.

“Është ndjesi shumë e bukur të rikthehemi sërish. Ishte një ditë e këndshme, provuam disa gjëra të reja me makinën dhe jam i lumtur në përgjithësi. U argëtova në pistë, makina është e shpejtë, e balancuar dhe u përgjigj mirë. Sigurisht që bëhet fjalë vetëm për testime, por mbeta shumë i kënaqur”, u shpreh piloti holandez.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard…