Reforma zgjedhore, e domosdoshme për t’i shmangur problemet në zgjedhje

26 janar 2021 | 15:00

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur tryezën e diskutimit me temën “Reforma zgjedhore dhe zgjedhjet: a është reforma zgjedhore prioritet në programet e partive politike?”.

Të ftuar si panelistë në këtë diskutim online ishin drejtori i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike (RPPC), Ylli Buleshkaj, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (LV), Adnan Rrustemi, dhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Shkelzen Hajdini.

Përfaqësues të GLPS-së kanë prezantuar analizën e politikave në të cilën konsiderojnë e një reformë zgjedhore është e domosdoshme për të mënjanuar problemet e vazhdueshme në proceset zgjedhore.

Në të njëjtën linjë GLPS-ja konsideroi se Projektligji për Financimin e Partive Politike duhet të mbetet prioritet për qeverinë në ardhje dhe i njëjti duhet të mbetet sipas rekomandimeve të shoqërisë civile dhe Komisionit të Venecias.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Ylli Buleshkaj, ka theksuar se është shumë e rëndësishme se para se të fillojë një proces reformues duhet të bëhet një vlerësim i tërësishëm me të gjitha palët e interesit, përfshirë këtu edhe institucionet relevante, në mënyrë që të kontribuohet njëjtë në këtë proces. Po ashtu, ai ka mirëpritur iniciativën, por edhe kontributin e shoqërisë civile për reformat e inicuara për partitë politike, duke konsideruar një iniciativë të tillë si shumë të rëndësishme drejt rritjes së transparencës financiare.

Në vazhdim, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkelzen Hajdini, ka theksuar nevojën për ligje të aplikueshme në praktikë.

Ai konsideroi që ekziston një nevojë e madhe për rishikim të Projektligjit për Financimin e Partive Politike, duke gjetur një konsensus të gjerë mes partive ekzistuese.  Sipas tij, projektligji aktual ngërthen në vete procedura që janë vështirë të aplikueshme.

Ai ka shtuar se tashmë është evidente se financimi i partive politike ballafaqohet me mungesë transparence, dhe mbetet parakusht që të propozohen ndryshimet e nevojshme qe projektligji aktual të jetë i zbatueshëm nga i gjithë spektri politik.

Ndërkaq, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, vuri theksin mbi politizimin e tejskajshëm me procesin e reformës zgjedhore duke potencuar se asnjëherë nuk ka ekzistuar një seriozitet i dëshiruar, por është përdorur më shumë për interesa politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

Ndër të tjera ai tha se vëmendja duhet të vihet në administrimin e proceseve zgjedhore se sa në reformën e sistemit zgjedhor.

Ai ka shtuar se është shumë e rëndësishme të sigurohen kapacitetet e duhura profesionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ndër të tjera te sigurohet pavarësia e Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike.

Si përfundim, GLPS, u bëri thirrje të gjitha partive politike në Kosovë, që të angazhohen në arritjen e një konsensusi të përgjithshëm, për ta çuar vendin drejtë një reformën të mirëfilltë zgjedhore, dhe përfundimisht të bëjnë përpjekje serioze në ngritjen e transparencës financiare të partive politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipe Mehmeti-Selimi kishte qenë vetëm 14-vjeçare kur iu ishte bashkuar…