Refugjatët afganë dhe rikthimi i kujtesës

30 gusht 2021 | 11:25

Shkruan: Bajram Mjeku

Mbërrijtja e refugjatëve afganë mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më solli në kujtesë fluturimit e familjes sime dhe mijëra kosovarëve tjerë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1999.

Rrallë ndodh në historinë e njerëzimit, të fluturosh me avion drejt një shteti tjetër pa asnjë dokument identifikimi! Ka ndodhur kështu me mijëra kosovarë, të cilët janë evakuar për t’u strehur nga Evropa deri përtej oqeanit.

Ditëve të fundit, në rrjete sociale pati vlerësime të ndryshme për afganët. Për fat të keq pati edhe qëndrime raciste, por nuk duhet harruar një fakt; vetëm njëzetedy vjet më parë, këtë fat tragjik e kishim edhe ne.

Nuk e di si do t’i presim ne afganët dhe sa do të jemi të kujdesshëm në raport me ata, por e di që në Mbretërinë norvegjeze jemi pritur jashtëzakonisht ngrohtë, me theks të veçantë unë dhe familja ime. Sapo kemi zbritur në Aeroportin e Kristiansandit, jam intervistuar nga mediat e vendit dhe një ditë më vonë jam intervistuar nga organet e policisë. Më kujtohet kur njëri nga ata gjatë intervistimit më tha: “Jeni shqiptari më i afirmuar në Norvegji brenda njëzetekatër orëve të fundit!”. E kishte fjalën për intervistën time dhënë mediave vendore dhe për kureshtjen që kishte zgjuar intervista tek qytetarët e mrekullueshëm norvegjezë, në kohën kur në Norvegji kishin nisur të strehoheshin mbi shtatë mijë kosovarë. Sapo kam dhënë shenjat e gishtërinjëve, mua dhe familjen na pajisën me karta identiteti, përmes të cilës na jipej mundësia t’i vizitonim të gjitha shtetet skandinave. Të njëjtën ditë, jam ftuar në darkë nga gazetarët e qytetit të Kristiansandit dhe mbas darkës që shtruan për nder timin, më dhuruan një kompjutor. Pa kaluar java, autoritetet norvegjeze mua dhe familjen na transferuan në kryeqytetin norvegjez në Oslo ku jetuam plot dy vjet.

Statusi ynë në Mbretërinë norvegjeze ishte shumë i avancuar dhe në afat kohor prej një viti ishim nën mbrojtje të shtetit. Brenda një kohe të shkurtër na doli e drejta për punë, më saktë i gëzonim të gjitha të drejtat njësoj si shtetasit norvegjezë. Unë me familjen jemi kthyer vullnetarisht mbas dy vjetësh qëndrimi, por qindra familje kosovare kanë kërkuar të qëndrojnë përjetësisht atje dhe këtë të drejtë e kanë fituar…

Lidhur me afatin e qëndrimit të afganëve në Kosovë, kanë filluar të qarkullojnë opinione të ndryshme. Mendja ma thotë se nëse afganët vendosin të jetojnë në Kosovë, këtë të drejtë do ta gëzojnë. Kështu ndodhi me mijëra kosovarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilët kanë mbetur në shtetet ku janë sistemuar nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj fort që qëndrimi i afganëve të Kosovë, por edhe në shtetet tjera ku do të sistemohen, do të ndodh në tre faza kohore. Faza e parë e qëndrimit prej katërmbëdhjetë muajsh, do të pasojë me fazën e dytë të mundësisë së vazhdimit edhe për katërmbëdhjetë muaj tjerë, ndërsa faza e tretë do të jetë pajisja me dokumente me të gjitha të drejtat për të qenë shtetas të Kosovës! E gjithë kjo tash e tutje do të varet nga vullneti i afganëve më shumë se nga vullneti ynë. Po, sepse e gjithë sakrifica jonë ndër breza ishte që Kosova të bëhej shtet, prandaj edhe Kosova është e obliguar t’i përmbushë të gjitha të drejtat dhe obligimet ndërkombëtare që dalin për refugjatët njësoj si të gjitha shtetet tjera, pavarësisht ngjyrës, racës dhe religjionit që përfaqësojnë ata.

Foto: Djali im Orgesi, para Pallatit Mbretëror në Oslo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mehreme Mala shpall të pavlefshme dëftesat si dhe diplomën e…