Reja dhe Berisha: Duhet ta mposhtim Poloninë

12 tetor 2021 | 11:30

Trajneri Edy Reja është optimist se Shqipëria mund të mposhtë sonte (e martë) Poloninë në kuadër të Grupit I kualifikues për Kupën e Botës.

“Luajmë në shtëpi dhe duhet të jemi sa më të qetë, pasi kjo është rruga e vetme për të synuar fitoren. Duhet të tregojmë personalitet në ndeshje të tilla, por edhe fati është pjesë e rëndësishme dhe në Poloni ne nuk e patëm, pasi një episod penalltie na dëmtoi jo pak në atë transfertë. Duhet të luajmë të qetë dhe të bëjmë sa më pak gabime për ta arritur rezultatin që duam. Ne kemi një mënyrë loje që nuk ndryshon dhe e kemi përdorur thuajse në të gjithë ndeshjet e fundit. Duhet të kemi kontrollin e lojës për të synuar fitoren, megjithatë varet edhe nga karakteristikat e kundërshtarit. Për mua është e rëndësishme që të mos rrimë në mbrojtje, por të sulmojmë dhe të provojmë të marrim kontrollin e lojës”, ka thënë Reja.

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, në konferencën para ndeshjes ndaj Polonisë ka thënë se kuqezinjtë do të bëjnë lojën e vet dhe ta fitojnë ndeshjen.

“Jemi të vetëdijshëm për situatën që jemi tani dhe luajmë një ndeshje të rëndësishme, por edhe nëse sigurojmë vendin e dytë, që na dërgon në ‘play-off’. Në Evropian ka qenë më e lehtë, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje. Në ndeshjen e radhës presioni nuk duhet të jetë mbi ne, por mbi Poloninë. Kemi bërë shumë gjëra të mira deri tani, pavarësisht se si do të shkojë ndeshja, megjithatë shpresoj ta interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne duhet të japim maksimumin në fushën e lojës dhe të jemi të fokusuar për t’i zbatuar porositë e trajnerit. Ndaj tyre kemi bërë shumë mirë në Poloni, por jemi ndëshkuar nga disa gabime, që nuk duhet t’i përsëritim. Duhet të gabojmë sa më pak dhe më pas të provojmë të shënojmë me kualitetet që kemi. Mund ta fitojmë, duke qenë se kemi edhe tifozët në stadium. Që do të na ndihmojnë jo pak”, ka thënë Berisha.

Shqipëria është e dyta në grup me 15 pikë, derisa Polonia është e treta me 14 pikë.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…