Reja: Ndaj Turqisë do të luhet për gjithçka

25 qershor 2019 | 19:45

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja, në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane “Gazetta Dello Sport”, ka dhënë opinionin e tij rreth aventurës kuqezi, gjendjes së ekipit dhe shanseve që ka për t’u kualifikuar në Evropian.

Intervista e trajnerit nis me një analizë të shkurtër për dy sfidat e tij të para zyrtare në krye të stolit kuqezi. Sa i përket ndeshjes me Islandën, reja është shprehur: “Skuadra nuk e meritonte humbjen, pasi kundërshtari mundi të bënte vetëm një gjuajtje në portë, ndërsa ndaj Moldavisë, rigjetëm krenarinë dhe besimin te vetja. Tifozët prej kohësh nuk e kishin parë ekipin të bënte një lojë të tillë”.

Më tej Edi Reja është shprehur se ofertat ndaj tij në Itali nuk kanë munguar madje, pas aventurës së tij tek Atalanta, i është propozuar stoli i Udineses, Beneventos dhe Veronës, por dëshira e tij është që ta mbyllë karrierën në nivel kombëtareje, teksa shtoi se: “Në momentin kur presidenti Duka më ka telefonuar e kam pranuar menjëherë ofertën”. Por sa janë shanset që kuqezinjtë të kualifikohen në Evropian? Tekniku 73-vjeçar është shprehur se pas përfundimit të kualifikueseve ekzistojnë mundësitë që bashkëpunimi të vazhdojë. “Ndaj Turqisë do të luhet për gjithçka”, ka thënë Reja, i cili ka zbuluar se ka pasur edhe një telefonatë me kryeministrin Edi Rama, me këtë të fundit që është përpjekur ta bindë që të drejtojë Shqipërinë.

Për Tiranën, Reja shprehet se është një qytet i madh, i cili çdo ditë zhvillohet, ndërsa shqiptarët i cilëson si njerëz që e kanë pasion futbollin dhe i kujtojnë Napolin. Në fund Reja ka folur edhe për Berishën, për të cilin është shprehur se këtë sezon ka bërë disa gabime që e kanë penalizuar, por duke qenë se Strakosha është i dëmtuar dhe do të qëndrojë jashtë për një kohë të gjatë jashtë, do të jetë Berisha titullar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbër Zeneli ka njoftuar në “Instagram” se është operuar me…