Reka: Vullneti për të qenë pjesë e BE-së, forca kryesore që do ta çojë Kosovën tutje

06 shkurt 2020 | 15:05

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka bërë me dije se me përgjegjësinë më të lartë dhe përkushtimin ka pranuar detyrën e re.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vullneti i shoqërisë në përgjithësi për të qenë pjesë e BE-së është forca kryesore që do ta çojë Kosovën tutje

Postimi i plotë i Rekës:

Sot, me përgjegjësinë më të lartë dhe përkushtimin e shprehur, pranova detyrën zyrtare të Ministrit të Integrimit Evropian, në qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Derisa procesi i integrimeve është i gjatë, i ndërlikuar dhe me shumë sfida, vullneti i shoqërisë në përgjithësi, për të qenë pjesë e BE-së, është mbase forca kryesore që do ta çojë Kosovën tutje. Përmes komunikimit të hapur me ju, me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe me gazetarët, kam besimin e fortë që do të arrijmë bashkërisht të zgjedhim rrugët më të mira drejt arritjes së të ardhmes tonë evropiane.

Agjenda e Ministrisë së Integrimit Evropian do të përcaktohet nga nevoja për lëvizjen e lirë të studentëve, artistëve, sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, partneritetin rajonal përmes marrëveshjeve funksionale dhe fqinjësinë e mirë për një Ballkan të paqes. Besimi juaj jetësohet me rezultate, të cilave do t’iu gëzohemi bashkë.

Me respekt,

Blerim Reka

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten është bërë…