Remzi Ejupi nderohet nga presidenti Meta me titullin ‘Kalorës i urdhrit të flamurit’

07 korrik 2022 | 15:34

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit” presidentin e FC Prishtina, Remzi Ejupi për meritat e tij në themelimin e ansamblit “Kosova djep lirie”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Meta ka thënë se Ejupi frymëzoi shumë djem e vajza që lanë jetën e tyre të rehatshme dhe u mobilizuan për të marrë pjesë në UÇK. “Remzi Ejupi deri në atë kohë kishte mbështetur artin individualisht, por ai e kuptoi rolin që mund të ketë bashkimi i artistëve në mbështetje të luftës për liri”, ka thënë Meta. “Është shembull i përbashkimit, frymëzim për të punuar bashkë gjithmonë”, u shpreh Meta. Në fund, presidenti shqiptar ka thënë se ka kënaqësinë ta nderojë sot Ejupin dhe ansamblin me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”.

Vetë Ejupi, pasi falënderoi Rifat Jasharin, Ilir Metën, Isa Mustafën dhe të pranishmit e tjerë në ceremoni, tha se është nderim i madh ky çmim për të. “Është moment i paharruar për familjen time, por uroj të mos jetë më i paharruari”, ka deklaruar Ejupi. Ai foli për ekipin e ansamblit që tha se ishte një armë plus kundër pushtuesit serb. “E ndjej thellë në shpirt këtë urdhër, duke nderuar babain tim dhe kujtimet e tij. I jemi mirënjohës zotit president që na nderoi me urdhrin e flamurit kombëtar”, deklaroi Ejupi.

Në fund, të pranishmit e uruan Ejupin dhe e falënderuan për kontributin e tij ndër vite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk e ka votuar Projektligjin…