Rënia e çatisë nga objekti i komunës së Prishtinës, gjykata merr vendim për dy të pandehurit

24 janar 2024 | 16:25

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka marrë vendim për dy të ndaluarit lidhur me rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Re në Prishtinë, ku si pasojë mbeti e lënduar një 23-vjeçare.

Sipas njoftimit, ndaj zyrtarit të Komunës së Prishtinës është vendosur masa e caktimit “ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”. Është bërë me dije se në rast se i njëjti nuk e respekton këtë masë, atëherë do t’i zëvendësohet me paraburgim.

“Gjyqtarja procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe të pandehurit Y.J i caktohet masa e Ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, ashtu që të pandehurit Y.J i ndalohet qasja në zyrat e Komunës së Prishtinës si dhe kontakti me kolegë e tij të punës. Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë nga data 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga i pandehuri Y.J, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, ka njoftuar gjykata.

Kurse për personin përgjegjës të kompanisë punuese është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Për të njëjtin është thënë se nëse nuk e respekton masën e shqiptuar do t’i caktohet paraburgimi.

“Gjyqtarja procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ashtu që të pandehurit B.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1(një) muaj, masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet duke filluar që nga data e ndalimit 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024. Konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri nuk e respekton masën e shqiptuar”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i rrethanave politike në vend, Behxhet Shala, ka bërë…