“Republikë” brenda Republikës

19 korrik 2021 | 14:10

Behar Hyseni

Krijimi i “republikave” brenda shteteve ku synon ta shtrij ndikim, nuk është një politikë e re për Serbinë. Nëpërmjet këtyre instalacioneve, Serbia historikisht ka tentuar që në territoret që i lakmonte të krijonte nga brenda faktorë destabilizimi, e me kohën ta përgatiste terrenin për aneksimin e plotë të tyre. Këtë strategji ajo e përdor qysh prej më shumë se një shekulli, me tentativat e saja për krijimin e republikës serbe në Barabya të Hungarisë (1921), pastaj me republikën e veçantë të Mirditës brenda Shqipërisë në krye me Marka Gjonin po ashtu në vitin 1921, për të vazhduar në periudhën e vonshme bashkëkohore me Republikën Serbe në Bosnje, e plot një shekull më vonë, në vitin 2021, nën kamuflimin e “Zajednicës” apo asociacionit monoetnik të komunave serbe, tenton strategji të ngjashme edhe në Kosovë.

“Republika Serbe” në Barabya të Mazharisë(Hungari), ishte një mini-shtet jetëshkurtër, i nxitur nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, i shpallur  më 14 gusht 1921, në territorin e okupuar Hungarez gjatë Luftës së Parë Botërore. Territori i saj përfshinte rajonin gjeografik të Barabyas. Shumica e banorëve të republikës ishin hungarezë etnik, ndërsa grupe të tjera etnike që jetonin në zonë përfshinin kroatë, serbë, gjermanë, rumunë, sllovakë dhe të tjerë.  Nëpërmjet kësaj “republike”, Mbretëria SKS synonte ta trasonte rrugën për aneksimin e plotë të këtij rajoni. Sidoqoftë, autoritetet e republikës së re nuk arritën të fitonin njohje ndërkombëtare dhe  rrjedhimisht plani serb dështoi. “Republika” u krijua më 14 gusht 1921 dhe u shpërbë më 20 gusht 1921, nga 21-25 gusht 1921 rajoni u riintegrua në Hungari. Ngjashëm si në Hungari, Serbia do të tentoj edhe në Shqipëri me “Republikën e Mirditës”.

“Republika e  Mirditës”, ishte një plan Jugosllav për ta shkëputur Shqipërinë e Veriut nga qeveria e Tiranës me anë të metodës  “përçaj dhe sundo”, duke inkurajuar disa krerë të Mirditës në krye me Marka Gjonin, të rebeloheshin dhe të shpallnin Republikën e Pavarur të Mirditës. Marka Gjoni, i cilësuar nga qeveria Britanike si një vegël e bindur e Beogradit, i shtyrë nga ambicia për pushtet, i ndihmuar nga Beogradi me mjete financiare dhe me armatime, bashkë me disa bajraktarë të Mirditës, ngritën krye kundër qeverisë shqiptare, por pa sukses. “Republika e Mirditës” u shpall me 17 korrik 1921, me këshillën e autoriteteve jugosllave. Marka Gjoni kërkoi njohjen e Republikës nga shtetet Fqinje, dërgoi përfaqësues edhe në Lidhjen e Kombeve në mënyrë që të siguronte njohjen, por nuk ia arriti qëllimit. Kjo lëvizje seperatiste përfaqësonte një ndërhyrje të hapur të Mbretërisë SKS brenda punëve të brendshme të Shqipërisë. Megjithatë, as kjo përpjekje e Serbisë nuk rezultoi e suksesshme. Marka Gjoni dhe shokët e tij më 12 nëntor 1921 u dorëzuan për shkak se nuk gjetën përkrahje në arenën ndërkombëtare, madje institucionet e Serbisë u kritikuan rreptësisht për destabilizimin e rajonit me këto lëvizje të cilat rrezikonin paqen në Ballkan. Shqipëria në vitin 1921 arriti ta ruaj integritetin e vet territorial përball këtij kërcënimi, por tjetër fat do ta pres Bosnjë dhe Hercegovinën në fund të shekullit XX.

Për dallim prej tentativave seperatiste të Serbisë në Hungari dhe Shqipëri në vitin 1921, të cilat dështuan për shkak të mosnjohjes nga ndërkombëtarët, në Bosnjë dhe Hercegovinë do të ndodh një skenar krejt tjetër. Republika Serbe në Bosnjë u shpall në 1992 në fillim të Luftës së Bosnjës dhe Hercegovinë. Pas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 në Ohio të SHBA-ve, Republika Serbe arriti njohjen ndërkombëtare si një entitet brenda Bosnjë dhe Hercegovinës. Sot, shumica e popullatës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton në këtë republikë. Republika Serbe ka presidentin e vet, legjislaturën, qeverinë ekzekutive, forcën e policisë, sistemin gjyqësor, shërbimin doganor dhe shërbimin postar . Ajo gjithashtu ka simbole zyrtare, duke përfshirë një stemë, një flamur (një variant i flamurit serb) dhe himnin e tij të entitetit. Sot, kjo republikë funksion si një shtet brenda shtetit, dhe ka shfaqur haptazi synime që një ditë të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga Bosnja dhe Hercegovina. Një skenar i ngjashëm mund të ndodh edhe në Kosovë, veçse nën kamuflimin e “Zajednicës” apo Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni pritej të krijohej zyrtarisht brenda kuadrit ligjor të Kosovës në vitin 2015, por shtyhet vazhdimisht për shkak të mospajtimeve rreth shkallës së kompetencave. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve evropian, do të ndodhë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, megjithatë, Beogradi insiston që asociacioni të themelohet sa më parë. Përpos Serbisë, trysni në favor të themelimit të asociacionit po ushtron edhe BE-ja. Asociacioni vazhdon të jetë ende temë e nxehtë edhe në vitin 2021. Rreziku që i kanoset Kosovës nga “Zajednica” është i ngjashëm me rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës. Ngjashëm Serbia ka vepruar edhe me komunat me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1991, kur u mblodhën 14 komuna atje për të themeluar “Zajednicën” e tyre, e cila më vonë u shndërrua në “Republika Serbe” brenda shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Shqipëria dhe Hungaria në vitin 1921 e ruajtën integritetin territorial, ndryshe nga Bosnja dhe Hercegovina e cila u gjymtua nga brenda. Po Kosova në vitin 2021? A do ta pres i njëjti fat si i Bosnjës? A do të dorëzohet para presionit ndërkombëtarë? A do ta pranoj Asociacionin me kompetenca ekzekutive? Historia na ka servuar përpara vetes raste të ngjashme por me përfundime të kundërta, por nga cila do marrim shembull?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy qendra vaksinimi janë plaçkitur në Francë, teksa është protestuar…