Restoranti “Kanina”, 100 për qind ushqim vendor

18 mars 2019 | 11:20

Në restorantin “Kanina” të gjitha ushqimet janë tradicionale dhe shërbehen në mënyrë tradicionale. Ushqimi përmban shije të gatesave të “lokeve shqiptare”. Në  restorantin “Kanina” mund të gjeni ushqime, si: flija të gatuara në mënyrën tradicionale, me saç, suxhuk në tavë, fasule në vegsh dhe shumë ushqime të tjera tradicionale. Pos këtyre, po ashtu edhe pijet janë të gjitha vendore dhe tradicionale, duke filluar nga uji, lëngjet, verërat dhe rakia.

Restoranti në fjalë mbetet impresionues sidomos për vizitorët e huaj.

Restoranti “Kanina” është hapur më 28 nëntor të vitit të kaluar. E ka marrë këtë emër nga një monument i trashëgimisë kulturore në Kaninë, rrethi i Vlorës. Pronar i këtij restoranti është ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, i cili ishte edhe drejtor i Odës së Afarizmit të Kosovës. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ka dashur që me anë të kësaj veprimtarie t’i promovojë dhe t’i përkrahë prodhuesit, fermerët dhe bujqësitë e Kosovës.

“Emrin ‘Kanina’ e kam marrë nga Kalaja e Vlorës. Këtë emër e gëzon edhe vajza ime. Kam dashur që pak Vlorë të sjell në Prishtinë. Qëllimi ishte të kemi një restorant familjar, me ushqime dhe produkte tradicionale të cilat janë konsumuar gjatë historisë. Ushqimet në restorantin ‘Kanina’ tani përpunohen dhe shërbehen në mënyrë moderne dhe i përkasin tradicionales, si tava e çobanit, salca e kosit e Shqipërisë, djathi i pjekur, kaçamaku me suxhuk, varianti i Dukagjinit. Këto janë disa ushqime që nuk i gjen në restorantet e tjera. Kam menduar që të marr një pjesë të ushqimeve të Dukagjinit dhe një pjesë të ushqimit nga zonat e tjera”, është shprehur Mulaj.

Ai ka thënë se të gjitha ushqimet gatuhen në mënyrë tradicionale. “Për shembull, trofta e Istogut gatuhet me prush, mishi i qengjit po ashtu me prush, buka piqet në furrë me dru. Janë një sërë elementësh tradicionale që e bëjnë ushqimin të dalë tradicional. Të gjitha produktet dhe pijet janë nga trevat shqiptare”, ka thënë Mulaj, duke shtuar se si ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë e di vlerën dhe promovimin e prodhimeve vendore. “Unë kam vendosur promovimin dhe përkrahjen e prodhimeve vendore në të mirë të vendit, pasi si ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë e di se ka prodhime të mira vendore dhe i kam gjetur ato më të mirat. Marrë produkte nga e gjithë Kosova dhe janë mjaft cilësore”, u shpreh ai.

Mulaj ka treguar se është mirëpritur mirë nga klientët veprimtaria e tij. “Ka pasur raste kur kanë kërkuar ‘Coca-Cola’ dhe ujë të ndryshëm, por jo vendor. Ne u kemi thënë se shërbejmë vetëm prodhime vendore. Klientët e kanë mirëpritur këtë. Ka pasur raste edhe kur janë çuditur, për faktin se u është dukur interesant se gjithë ky restorant ka vetëm prodhime vendore. Për ushqimin tradicional furnizohemi nga familje të ndryshme shqiptare. Fasulen e marrë nga një fshat i Istogut, po ashtu edhe miellin nga Vrella e Istogut, suxhukun nga fshati Zallq i Istogut, kurse troftën nga trofta e Istogut. Mishin e marrim nga ‘Buquku’ në Pejë. Ndërsa pulat nga një fshat i Novoberdës, mishin e qengjit nga Malisheva, djathin dhe kosin nga qyteti i Pejës.  Në përgjithësi kam krijuar klientelën time dhe kam targetuar bujqit dhe fermerët në Kosovë”, u shpreh Mulaj.

Ai ka thënë se furnizimet natyrale cilësore kanë kosto. “Te ne nuk ka mish Brazili apo mazë hopla. Këto janë të lira dhe të rrezikshme për shëndetin e njeriut”, ka thënë Mulaj. Ai ka treguar se tani ka krijuar një klientel të rregullt që i pëlqen ushqimet tradicionale. “Kam klientë të rregullt, në veçanti për kaçamakun me suxhuk që s’bëhet me ujë, por me qumësht dhe djathë. Kam sjell, po ashtu, pjata të stilit tradicional, si dhe sofra dykatëshe”, ka deklaruar ai.

Mulaj ka thënë se ka qenë i vetëdijshëm për koston oportune të kësaj veprimtarie, por ka pohuar se ka besim te prodhimet vendore. “Kam pasur klientë edhe nga elita politike, nuk është që kanë qenë shumë të entuziazmuar, por u është dukur interesant. Unë kam besim në prodhime vendore dhe nuk e ndërroj ‘Golden Eagle’ me ‘Red Bull’, ujin ‘Rugova’ me ndonjë ujë tjetër apo birrën ‘Peja’ me ‘Lasko’ apo ndonjë tjetër”, u shpreh ai.

Mulaj ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, për të cilën gjë ka thënë se nuk ka ndikuar në veprimtarinë e tij, pasi produktet e këtyre shteteve dhe të tjerave shtete të Ballkanit dhe të Evropës nuk shërbehen në restorantin e tij. “Në saje të promovimit të birrës ‘Daka’ në restorantin tim, tani kjo birrë do të eksportohet në Korenë e Jugut”, ka thënë pronari i restorantit “Kanina”, Ismet Mulaj.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Swansea City nuk arriti gjysmëfinalen e FA Cupës pasi pësoi…