Rexha preferon titullin para “Këpucës së Artë”

25 prill 2018 | 16:58

Kastriot Rexha po pëlqen ta fitojë titullin e kampionit me skuadrën e Dritës para “Këpucës së Artë”, ani pse me tregolëshin shënuar Llapit i ka rritur shanset për të qenë më i miri në Superligë. 

Sulmuesi Kastriot Rexha që nga koha kur ishte pjesë e skuadrës së 2 Korrikut nga Prishtina, më pas edhe me Trepçën ’89 dhe Besën ka qenë në krye të listës së golashënuesve në Superligë, por asnjëherë nuk ka dalë të jetë i pari. Ai të martën për “Epokën e re” ka thënë se, pavarësisht prej faktit se nuk e ka fituar asnjëherë këtë çmim, më shumë pëlqen titullin e kampionit me Dritën se “Këpucën e Artë”.

Para sulmuesit shtatlartë renditen Mirlind Daku i Llapit dhe Otto John i Trepçës ’89 me nga 13 gola të shënuara, kurse Rexha ka shënuar një gol më pak. “Çdo sulmues e dëshiron këtë epitet, pasi ka vlera, mirëpo në këto çaste për mua i vetmi synim është titulli i kampionit me Dritën dhe jo çmimet individuale. Kam qenë shumë herë afër, por asnjëherë i pari. Prapë pëlqej më shumë titullin dhe suksesin me skuadrën sesa çmimin individual”, ka thënë Rexha, duke folur edhe për tre golat që shënoi në ndeshjen kundër Llapit në Besianë.

“Kundër Llapit ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne duke marrë parasysh se kemi qenë mysafirë të skuadrës se Llapit, e cila është një skuadër e papërshtatshme dhe e vështirë për t’u mposhtur në Besianë. Kemi bërë një paraqitje të mirë si skuadër dhe jemi në një moment mjaft të mirë dhe në rrugën e duhur drejt titullit të kampionit. Jam i kënaqur që skuadra ka shënuar fitore dhe që gjithë ata tifozë në numër të madh që ishin në Besianë janë kthyer të lumtur në Gjilan, por edhe tregolëshi më bën krenar”, ka deklaruar Rexha, i cili ka pasur një karrierë të suksesshme edhe në futbollin e Shqipërisë, përkatësisht me skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës. Lidhur me thashethemet se ndeshja Llapi – Drita (1-3) ishte e kurdisur, Rexha nuk deshi të flasë shumë. Ai ka thënë se gjithkush që merr vesh në lojën e futbollit e ka parë se në këtë ndeshje nuk ka pasur asnjë shenjë se ka qenë e kurdisur.

Lista e golashënuesve

 

  1. Mirlind Daku (Llapi)                                    13 gola
  2. Otto John (Trepça ’89)                                13
  3. Kastriot Rexha (Drita)                                 12
  4. Genc Hamiti (Drenica)                                11
  5. Artur Magani (Liria)                                    11
  6. Xhevdet Shabani (Drita)                             10
  7. Mark Milicaj (Feronikeli)                             8
  8. Betim Haxhimusa (Gjilani)                          8
  9. Albuntrit Morina (Feronikeli)                      7
  10. Gauithier Mankenda (Prishtina)                 7

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti për kampionatin evropian të xhudos, që do…