Rexhepi: Draftstatuti i Asociacionit krijon hapësirë për shtet brenda shteti

03 shkurt 2024 | 21:30

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka thënë se drafstatuti i propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse do të themelohej si i tillë, krijon mundësinë e themelimit të një shteti brenda shtetit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rexhepi ka thënë se Qeveria Kurti e ka trashëguar çështjen e Asociacionit teksa ka shtuar se Qeveria bazohet në Kushtetutën sa i përket draftstatutit.

“Si qeveri e re, me kryeministër Albin Kurtin e kemi trashëguar këtë problem. Unë jam një nga ata që kanë votuar për themelimin e këtij Asociacioni më 2015, megjithëse kjo është një çështje prej vitit 2013, duke vlerësuar që komuniteti serb duhet të integrohet në shtetin e Kosovës, ashtu siç kemi bërë ne të tjerët, që të ketë të drejta për të jetuar, për tu shkolluar, për të punuar. Por tani kjo është një çështje krejt tjetër, pasi vlerësoj që drafti i tanishëm u jep atyre shumë të drejta, që pushteti ekzekutiv i Asociacionit, nëse do të themelohej, do të ishte i madh dhe kjo do të dëmtonte shtetin tonë. Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë Serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë. Ne si qeveri kemi qëndrimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos bëjmë asgjë që shkon në dëm të shtetit tonë”, ka thënë ajo.

“Emilija Rexhepi: Drafti që kemi parë, i jep shumë pushtet ekzekutiv Asociacionit dhe mund të vijë deri te krijimi i një shteti të ri brenda shtetit tonë”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja teksa ka shtuar se e kundërshton këtë opsion.

Rexhepi ka thënë se Qeveria do të presë qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese e më pas do të hartojë statut të ri për Asociacionin./VoA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Musa Ramadani Vite me radhë s’isha kthyer në vendlindjen time.…