Rey Manaj i afrohet rekordit si golashënuesi më i mirë në historinë e Shqipërisë
Sulmuesi kuqezi, Rey Manaj, po kalon një periudhë fantastike, duke shënuar në dy ndeshjet e fundit ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, ndërsa tashmë është vetëm tre gola larg rekordit të Erjon Bogdanit.
Rey Manaj po vazhdon të dëshmojë se është njëri prej sulmuesve më të rëndësishëm të Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa tashmë po i afrohet gjithnjë e më shumë një rekordi historik.
Sulmuesi kuqezi është në superformë, duke realizuar nga një gol në dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, fillimisht ndaj Finlandës e më pas kundër Bjellorusisë.
Me këto realizime, Manaj ka arritur në kuotën e 15 golave me fanellën e Shqipërisë, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e përfaqësueses.
Përpara tij qëndron vetëm Erjon Bogdani me 18 gola, çka do të thotë se sulmuesit të Sivasporit i nevojiten edhe tri realizime për ta barazuar rekordin dhe katër për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Shqipërisë.
Pas tyre, në këtë renditje vjen Alban Bushi me 14 gola, ndërsa Sokol Cikalleshi dhe Ervin Skela kanë realizuar nga 13 gola secili.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Manaj mund ta shkruajë emrin në historinë e futbollit shqiptar, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Kombëtaren kuqezi.



