Rikthehet basketbolli

10 shtator 2022 | 09:34

Pritjes së gjatë i erdhi fundi. Në fundjavë do të fillojë Prince Caffe Superliga, që pritet të jetë shumë interesante.

Tetë skuadrat janë konkurruese dhe kanë bërë përforcime të bujshme, me lojtarë vendorë dhe të huaj, ku priten shumë derbi gjatë gjithë edicionit.

Kampioni aktual, Golden Eagle Ylli, do ta fillojë mbrojtjen e titullit me sfidën ndaj Rahovecit. Yllit i janë larguar Erjon Kastrati dhe Mikaile Tmusiq, por ka bërë përforcime, ndërsa “Vreshtarët” janë organizuar dhe synojnë një edicion sa më pozitiv. Takimet ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë qenë shumë interesante në vitet e fundit dhe kështu pritet edhe të shtunën në sfidën hapëse të kampionatit.

Të shtunën do të zhvillohet përballja në mes të Bashkimit dhe Vëllaznimit. Prizrenasit e nisin edicionin me synime të larta, kurse kuqezinjtë janë rikthyer në elitë dhe nuk duan të largohen pas një viti. Derbi i kësaj xhiroje zhvillohet mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Pejës. Te “bardhekaltrit” u rikthye Dardan Berisha, pikërisht nga Peja, kurse “verdhezinjtë” kanë rikthyer Alban Veselin dhe Arti Hajdarin. Të dyja skuadrat, po ashtu, janë përforcuar me basketbollistë të huaj dhe pritet një superndeshje, siç ka qenë gjithmonë mes këtyre dy skuadrave.

Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje është ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Trepçës. Prizrenasit edicionin e kaluar fituan Superkupën, që ishte trofeu i parë në histori të klubit dhe synojnë trofe edhe në këtë edicion, ndërsa mitrovicasit e nisin me synime të mëdha, ku do të luajnë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, si dhe Superkupën Mbarëkombëtare, kurse synime të mëdha kanë edhe në garat vendore. Interesimi për basketboll është i madh dhe ky edicion po pritet të jetë i zjarrtë.

Superliga – Java e parë

Të shtunën takohen:
17:00 Rahoveci – Golden Eagle Ylli
19:00 Bashkimi – Vëllaznimi

Të dielën takohen:
17:15 Sigal Prishtina – Peja
19:00 Trepça – Ponte Prizreni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e gjashtë e Superligës në futboll do të jetë…