Rikthimi i Anijes në ujërat e saj!

11 korrik 2023 | 12:47

Nga: Bajram Mjeku

Mbrëmë rreth mesnatës, kushëriri im i dashur Ismer Mjeku, autor i projektit të famshëm Albanian Yellow Pages, i cili tash tri dekada jeton në New York dhe në shenjë admirimi për mua, më dërgoi përmes rrjetit social poemën time “Anija e humbur”, e cila në konkursin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1994, qe shpërblyer ndër tri poemat më të mira të kohës.
Ismeti, në fakt mbrëmë më dërgoi origjinalin e poemës, e cila po këtë vit është botuar edhe në gazetën Illyria në New York! Tash mbas tridhjetë vitesh, shoh se kur e kam botuar librin, kësaj poeme i mungojnë dy strofa dhe shumë detaje, ndërkohë që pas një distance kohore, shoh se sa të trazuar ishim gjatë dekadës së robërisë…
Procesi i krijimit të kësaj poeme, për mua mbetet më i veçanti nga gjithçka që kam krijuar deri sot. Mbaj mend që e kam nisur së shkruari në qershor të vitit 1990, në një periudhë boshllëku shpirtëror duke e latuar vazhdimisht për katër vite, me idenë se deri ku mund të shkojë përsosmëria e krijimit.
I mbetet lexuesit të vlerësojë sa e kam mbërrijtur këtë përsosmëri!

Anija e humbur

Më ikën perlat mike, sa mirë që nuk e di
Ky fundtetor dafinat kur t’i shtrijë përdhé
Uragan do bëhem, do shpërthej përsëri.

Në avlëmend të ri do të thur art magjie
Anija ime e moçme do nisë shtegtim të ri
E Driana, oh Driana buzë detit kaltërosh
Do m’i shprushë ndjenjat me tinguj violine.

Erdh një natë Lasgushi me shkop e me frak
Me erë dheu, shpirt poeti u përgjunj e tha:
Ikën disa vjet dhe s’shkrove asnjë varg…

Ç’më pushton tmerrisht një këngë vajtimtare
Nuk jetohet dot s’frymohet mike në robëri
Një valë mordare më tund, egërisht më shkund
Çaj furtunë, kërkoj liri në një breg të ri.

Që larg shoh që larg tek ndrin një fanar
Gllabërisht më ndjell, ideal më mbjell
Përgjithmonë të prehem në ishullin e bardhë.

Rëndë-rëndë u jep valëve detit me stuhi
E sytë më vezullojnë lodhshëm si drita në azur
Lart vështroj flamurin, shkaba më jep shpresë
Të bëj udhë më tutje, të mos ndalem kurrë.

Dhe prapë ajo dallgë do t’më qes mbi zall
Nga makthi i vetëflijimit hepohem e them;
O do jemi fituesi, o humbësi më i madh.

E fundmja forcë më vjen demonin ta godas
Kush thotë vallë kush se kam shpirt të shterur
Kur ndjeni se kam heshtur, ringjallem sërish
Shkrumb e hi do bëhem për art të pavdekur.

Më erdhën perlat mike, sa keq që nuk e di
Ky fundtetor dafinat kur t’i shtrijë përdhé
Uragan do bëhem, do shpërthej përsëri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në Vilnius…