RIKUJTESË, VITI 1992

16 janar 2022 | 19:04

Ismet Sylejmani

E KALUARA E LAVDISHME E DËSHMORËVE DHE GJAKU I DERDHUR PËR LIRI, NA OBLIGON TË GJITHËVE PA PËRJAASHTIM TË SHTRËNGOJMË RADHËT EDHE MË SHUMË, TË ORGANZUAR E MË TË BASHKUAR NË LUFTË KUNDËR ARMIKUT

Të dashur shokë dhe pjestarë të familjeve të dëshmorëve !

Të nderuar mysafir dhe pjsëmarrës të manifestimit !

Jemi të ndërgjegjshëm se gjithë këtë që e kemi bërë ne fshatarët e Cërrnicës sot në këtë manifestim përkujtimorë, nuk mjafton për të nderuar ashtu si e meritojnë dëshomrët dhe veprat e tyre që na i lanë,sepse nderimi më i madhë për dëshomrët do të jetë vetëm atëherë kur do ta çlirojmë Kosovën dhe ajo të jetoj e lirë dhe sovrane!

Por edhe kjo që kemi organizuar duke pasur parasysh gjendjen aktuale që po kalon populli ynë , flet qartë se edhe një nderim i këtillë i jetës dhe veprës së dëshmorëve është i mjaftueshëm dhe i denjë.

Motra dhe vëllezër !

Pesëqind e njëzetekatër vjet më parë, data e 17 Janarit, ishte datë që ndër shqipëtarët mbjelli zi dhe vaj , datë në të cilën mbylli sytë për jetë i madhi dhe i pavdekshmi heroi ynë legjendarë , komandanti i lavdishëm i ushtrisë së Arbërit , Gjergj Kastrioti Skenderbeu , nën udhëheqjen e të cilit për 25 vjet me radhë populli ynë i bëri ballë forcës më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane.

Por 17 Janari i vitit 1982 për popullin tonë u bë plagë e madhe kur kriminelët e UDB-së jashtë Atëdheut në një fshat të Gjermanisë së largët, në mënyrë mizore na i vranë tre bijtë nga më të mirët Jusufin ,Kadriun dhe Bardhoshin!

Kjo plagë që kullonte gjak të Gjergjit, Jusufit , Kadriut e Bardhoshit u rrit dhe kulloi edhe më shumë kur më 12 Janar në Prishtinën e kuqe, të rrethuar nga policia jugosllave u vranë luftëtarët sypatrembur Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha!

Për të kaluarën e lavdishme të epokës së madhe dhe të ndritur të Skënderbeut fjalën e vet me kohë e në mënyrë të gjithanshme e ka thënë historia dhe në këtë drejtim çdo gjë që do të tentonim të thonim do të përsërisim fjalët, ndërsa për jetën dhe vepren e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit dhe Nuhiut mendoj se nuk do të jetë e tepërt t’i them disa fjalë edhe pse këtu nga të pranishmit në këtë manifestim ka që janë më kopetent!

Të nderuar pjesëmarrës të manifestimit !

‘’… Historia e lashtë dhe luftërat e popullit tonë patriot për liri, për pavarësi, për bashkim, për bukë, për dituri, për tokë, për mbrojtjen e grave, të nderit, të zakoneve e të traditave të mira, të gjuhës,të fushave, të pyjeve, të kështjellave etj.,etj…’’, rrezatoi në pjekurinë dhe formimin e gjithanshëm të personalitetit të dëshmorëve!

Por në mënyrë të veqantë dhe te drejtëpërdrejtë në formimin, pjekurinë dhe kalitjen e parakohëshme të personalitetit prej luftëtari të pakompromis e konsekuent të Jusufit, Kadriut,Bardhoshit,Rexhepit dhe Nuhiut ndikoi pozita prej të robëruari dhe luftërat e përpjekjet e vazhdueshme të popullit të Kosovës martire dhe të viseve të banuara shqipëtare nën Jugosllavinë e vjetër e të re!

Koha ku u lindën, jetuan dhe vepruan dëshmorët, ishte kohë nga më të vështirat, më të turbullat e nga më të zymtat.

Kohë kur ndaj popullit tonë thureshin plane nga më djallëzoret, kur inskenoheshin kurthet më të tmerrshme, kur kryheshin aktet më të rënda e më tragjike në kurriz të tij.

Kohë kur populli ynë shpërngulej në masë të madhe me dhunë nga trolli i të parëve dhe degdisej në Turqi, në shtetet e perëndimit, në Skandinavi e gjetkë!

Kohë kur luftonte kundër prapambeturisë dhe skamjes ,varfërisë dhe mjerimit, shtypjes dhe shfrytëzimit të egër në të cilin e kishte katandisur regjimi titist!

Këto momente të rënda e me plot të papritura që kalonte populli ynë, dëshmorët që në fëmijërinë e hershme i jetuan nga afër dhe doemos që ndeshjet e para me ambientin e rëndë dhe realitetin e hidhur lanë gjurmë të pashlyeshme në karakterin e tyre të njomë!

Trimërinë dhe guximin,pjekurinë e parakohëshme dhe aftësitë e talentin e rrallë që i dispononin, i manifestuan kudo që ishte e nevojshme dhe e mundur!

Ata që në moshë të re ishin nga të parët në mësin e atyre të rinjëve që u ngritën kundër padrejtësive nga çdo anë që vinin!

Ishin nga të parët që u hodhën në luftë të hapët kundër sjelljeve të pahijshme dhe arrogancës, jetës së çthurur mikroborgjeze e muzikës së çakerdisur,amoralitetit ,dekadencës e sjelljeve të huaja në jetën e përditshme që ishin produkt i rethanave që i kishte krijuar armiku!

Çdo pakënaqësi a protestë kudo që kryhej në rrugë, në shkollë, fabrikë e gjetiu,ata ose ishin drejtuesit kryesorë ose ishin në radhë të parë të frontit!

Duke parë se detyra ndaj Atdheut nuk kryhej me të kryer një aksion, organizuar një manifestim proteste ose duke demaskuar ndonjë element antishqiptarë, dëshmorët kush më herët e kush më vonë, u nisën shtigjeve të pashkelura të rrugës së lirisë në forma të organizuara.

Në këto perpjekje i gjen formimi i LRBSH-së dhe më vonë edhe organizata të tjera dhe jo rastësisht ata do të gjenden në pozita me rëndësi madje edhe në vende udhëheqëse.

Aktiviteti politik dhe organizativ i dëshmorëve zë një vend mjaft me rëndësi të madhe rreth përgaditjeve dhe gjatë zhvillimit të demonstratave të vitit 1968!

Që nga kjo periudhë aktiviteti i tyre shtohet në mënyrë të dukshme!

Ata tani kishin krijuar një përvojë të mjaftueshme dhe kjo do t`u shërbente për të ditur se si duhej më së miri të organizohej populli në luftë për liri, ç`taktikë duhej ndjekur e ç`metoda duhej përdorur , kur duhej kaluar në sulm dhe kur në tërheqje etj..

Vala e arrestimeve që ndërmerrte pushtuesi nuk kalonte pa i kapur edhe dëshmorët!

Por ata ashtu siç ishin përgaditur për çdo gjë, edhe arrestimet nuk ishin ndonjë risi në praktikën që ndjekte armiku.

Përpara hetuesisë dhe gjyqeve antipopullore që i nxorrën, ata mbajtën qëndrim të pathyeshëm dhe krenarë!

Aktiviteti i madh dhe i gjithanshëm që zhvillonin u`a kishte bërë të pamundur qëndrimin dhe veprimin në legalitet, prandaj dhe u hodhën në ilegalitet dhe pas një kohe u detyruan të largoheshin jasht atëdheut në shtetet e perëndimit.

Kur në vitin 1981 shperthyen demonstratat gjithpopullore me përjashtim të Nuhiut, dëshmorë të tjerë nuk patën mundësi t`i shikonin nga afër dhe të jepnin kontributin e tyre të drejtëperdrejtë edhe pse e dinin, se ky shperthim revolucionar i popullit në vetvete përmbante edhe aktivitetitn e punën e palodhur të tyre!

Nga aktiviteti i madh dhe i gjithanshëm që zhvillonin në mërgim Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, armiku e hetoi qartë rrezikun që i kanosej, prandaj jo rastësisht drejtoi armën në gjokset e tyre, ndryshe mërgimtarët po bashkoheshin dhe kjo i tmerronte shtypësit shovinist!

Vrasja e këtyre tre bijëve ngriti me mijëra të tjerë të cilët do të bëheshin gardh përpara hordhive të policisë dhe ushtrisë në vitet e mëvonshme në Kosovë!

Luftën e shokëve që e kishin lënë në gjysmë pa u hezituar aspak e vazhduan qindra dhe mijëra të tjerë në mesin e të cilëve shquheshin Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha.

Duke dashur t`i kapnin të gjallë e në befasi , pushtuesi dhe kelyshët e tij, i rrethuan më 12 Janar por nuk u dorëzuan dhe ranë duke luftuar me armë në dorë Rexhepi e Nuhiu.

Kështu edhe këta bijë të Kosovës trime, shkruan faqe lavdie dhe ranë për të mos vdekur kurrë e për t`u ngritur qindra e mijëra të tjerë!

Të nderuar pjesëmarrës të manifestimit!

Për dëshmorët sado pak që të shkruash e në mënyrë sipërfaqësore është përgjiegjësi shumë e madhe!

Por përgjegjësia rritet akoma më shumë kur duhet shkruar për përvjetorët e rënies heroike të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit dhe Nuhiut.

Është e madhe përgjegjësia, sepse vepra që na e lanë ata është me dimensione të mëdha dhe të gjithanshme, si ne aspektin e organizimit të luftës ilegale dhe mobilizimit të masave të gjera popullore në front të vetëm antishovinist, ashtu edhe në aspektet tjera që përbëjnë një thesarë me vlera të larta e të paqmueshme për historinë e kombit tonë!

E gjithë jeta dhe vepra e tyre është luftë e pandërprerë për çështjen e madhe të popullit dhe Atdheut!

Ajo është historia e gjallë e popullit tonë në dy dekadat e fundit!

Është pasqyra më reale e luftës së popullit tonë që ka zhvilluar në të gjitha frontet kundër armikut!

Jeta dhe vepra e tyre ishte luftë në çdo hap e për çdo gjë!

Ishte luftë e pakompromis për zgjimin e ndërgjegjës dhe ngritjen në nivel më të lartë të vetëdijes politike dhe kombëtare të popullit tonë ; ishte luftë për emancipimin dhe shkollimin e plotë dhe të gjithanshëm të të gjitha shtresave të popullit tonë;ishte luftë kundër prapambeturisë dhe injorancës, varfërisë dhe mjerimit, shfrytzimit të pamëshirshëm të krahut të lirë të punës dhe të pasurive mbi e nën tokësore; ishte luftë për demaskimin e plotë e në shkallë të regjimit policorë jugosllav; luftë për demaskimin dhe çjerrjen e maskave false para popullit të politikanve të kolltuqeve e të kompromiseve, intelektualëve të kalbur e kalemgjinjëve të shitur, të dallavergjinjëve e intrigantëve profesionist që kishin hyrë në të gjitha kombinacionet me armiqtë; luftë për pastrimin e organizatave ku vepronin nga elementët armiq, oportunist e deviatorë, karrierist e arrivist, anarkist e liberal etj.; luftë për një organizim të fortë e të qëndrueshëm, për disiplinë të hekurt e vullnet të çelikt, për moral të lartë e besim të patundur në fitore, për përgaditjen sa më të madhe e të gjithanshme më teorinë revolucionare dhe zbatimin e saj me konsekuencë e në mënyrë krijuese në praktikë; luftë për qëndresë stoike përpara organeve të hetuesisë, qëndrim i paparë dhe i padëgjuar, i papërkulshëm dhe heroik nëpër burgjet famëkqija të regjimit jugosllav, sidomos qëndrimi i pathyeshëm i Rexhep Malajt; luftë për internacionalizmin e luftës së drejtë çlirimtare të popullit shqipëtarë nën Jugosllavi, jo vetëm para opinionit jugosllav por edhe para atij botërorë; luftë për organizimin dhe mobilizimin e të gjithave shtresave të popullit tonë në një front të vetëm kundër armikut; luftë për organizimin e të gjitha forcave të organizuara ilegegale revolucionare dhe patriotike brenda dhe jashtë vendit; luftë për formimin e një subjekti të vetëm politik, të aftë për t`i përballuar valët e terrorit të egër dhe goditjet e forta të armiqëve që do t`i udhëhiqte shqipëtarët në mënyrë të pagabueshme dhe të sigurtë drejt çlirimit të plotë nga zgjedha e dyfisht e robërisë etj.,etj..

Motra e vëllezër !

Kjo e kaluar e lavdishme e dëshmorëve dhe gjaku i derdhur për liri, na obligon të gjithve neve pa përjashtim që të shtrëngojmë radhët edhe më shumë, të jemi më të organizuar e më të bashkuar, të flasim më pak e të punojmë më shumë, t`u shkojmë pas atyre që kanë dhënë prova menqurie, guximi e trimërie, sakrifice e heroizmi të pashoq edhe në ditët më të vështira që kalonte populli ynë!

E theksova që në fillim dhe po e përsëris se nderimi më i madh që do t`u bëjmë martirëve të kombit është : TA ÇLIROJMË KOSOVËN !

Lavdi jetës dhe veprës së ndritur të dëshmorëve !

Rroftë populli shqiptarë !

Cernicë,më 26 janar 1992!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri Islami Nesër bëhen 40 vite nga themelimi i…