Rinia e PDK-së, aksion simbolik para MPJD-së, thotë se Gërvalla-Schwarz ka harruar kë përfaqëson

07 maj 2021 | 15:37

Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka realizuar një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës pas zhvillimeve të fundit në raport me deklaratat e më hershme të ministres Donika Gërvalla për ish-drejtuesit e UÇK-së të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.

Gjatë këtij aksioni, të rinjtë e PDK-së mbanin në duar fotografitë e ish-drejtuesve të UÇK-së dhe një pako në të cilën shkruante: “Këtu deponohen dosjet e gjenocidit serb në Kosovë”.

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ka thënë se aksioni i tyre shërben për t’ia rikujtuar ministres Donika Gërvalla-Schwarz, se ajo e përfaqëson dhe duhet ta përfaqësojë vetëm Kosovën.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës në atë kuti ta vazhdojnë deponimin dhe t’ia rikujtojmë ministres Schwarz se kush ka qenë agresori dhe kush ka qenë viktima”, ka thënë Bislimi.

Bislimi e ka quajtur “dhuratë” këtë kuti që ata e kanë vendosur para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se Gërvalla-Schwartz ka harruar se kë e përfaqëson në politikën e jashtme.

Para MPJD-së është stampuar edhe emblema e UÇK-së, kurse libri i Nyset Pllanës me dëshmi të krimeve të luftës, ka thënë Bislimi do t’i dorëzohet ministres Gërvalla.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përgatitur publikimin e…