Rohani i kërkon Trumpit të mos tërhiqet nga marrëveshja bërthamore

24 prill 13:27

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i ka bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, që të mos tërhiqet nga marrëveshja historike bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, duke thënë se ShBA-ja do të përballet me “pasoja të rënda” nëse e shkel paktin.

“U them atyre në Shtëpinë e Bardhë se nëse nuk i përmbushin angazhimet, Qeveria e Iranit do të reagojë në mënyrë të vendosur”, ka thënë Rohani në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.

Trumpi u ka dhënë nënshkruesve evropianë të marrëveshjes afat deri më 12 maj, për të përmirësuar, siç ka thënë ai, “të metat e tmerrshme” të saj dhe ka kërcënuar se ShBA-ja do të tërhiqet nëse marrëveshja nuk përmirësohet, raporton “Rel”.

Me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 nga Irani, ShBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania, Republika Islamike është dakorduar të frenojë aktivitetin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Përveç ShBA-së, të gjithë nënshkruesit e tjerë kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen.

Trumpi ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët në Turqi kanë njoftuar se dhjetëra persona janë lënduar,…