Rrahmani për moskualifikimin në Euro 2024: Një ditë ëndërra do të bëhet realitet

27 nëntor 2023 | 18:57

Albion Rrahmani është rikthyer në stërvitje me ekipin dhe ka nisur me stërvitjet individuale me stafin e Rapidit.

Ai ka dhënë një intervistë për “Rapid TV”, në të cilën ka folur për lëndimin që e mbajti larg fushës për një muaj e gjysmë, procesin e rikuperimit, akomodimin në Bukuresht, atmosferën rreth klubit, si dhe tema të tjera në jetën e tij.

Rrahmani ishte lënduar në ndeshjen e Kosovës ndaj Andorrës në tetor, duke pësuar frakturë të fibulës dhe këputje të ligamenteve në kyçin e këmbës së djathtë. Sulmuesi pastaj ishte operuar me sukses, por nuk do të mund të luajë deri në vitin e ardhshëm.

“Rikuperimi po shkon shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për veten time, për procesin e rikuperimit dhe shpresoj të kthehem sa më shpejt në fushë. Të gjithë ata që më kanë parë, doktori, fizitiku, kanë thënë se do të jem i gatshëm për rifillimin e kampionatit në dimër, kështu që mezi pres të kthehem dhe të luaj në ndeshjen e parë në janar dhe dua që gjërat të ndodh kështu. Javën tjetër do të shkoj për një kontroll dhe pas kësaj do të filloj të vrapoj dhe patjetër do të jem gati të luaj në janar nëse gjërat shkojnë sipas planit”, tha ish-sulmuesi i Ballkanit.

“Shpresoj se do të jem 100 për qind i aftë për kampin stërvitor dimëror. Nëse gjithçka është në rregull në kontrollin tjetër, unë do të filloj të vrapoj dhe deri në momentin që të nisemi për në kampin stërvitor, gjithçka duhet të jetë mirë për të qenë në formë”, shtoi ai.

I pyetur se si ishte periudha e lëndimit për të dhe si ndihej larg skuadrës, Rrahmani tha: “Ishte shumë e vështirë. Sa herë doja të isha me ta në stërvitje, në ndeshje, në fushë. Ky është futbolli dhe ne duhet t’i pranojmë gjërat që na ndodhin dhe t’i marrim ashtu siç janë. Shpresoj që ky të jetë lëndimi i fundit për mua dhe për çdo lojtar, sepse periudha e lëndimit është shumë e vështirë çdo herë. Shpresoj të jemi të gjithë të shëndetshëm dhe të fortë. Është shumë e rëndësishme të qëndroni të pamposhtur. Djemtë kanë arritur të marrin vetëm fitore ose barazime, jam shumë i lumtur për këtë dhe shpresoj se mund t’i mbajmë gjëra të tilla deri në fund të sezonit. Nga janari do të jemi të gjithë në formë: unë, Petrila, Emmers dhe do të shtyjmë veten për të arritur qëllimin tonë: fitimin e kampionatit”.

23-vjeçari ka folur edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”, veçanërisht për Grupin I, nga i cili u kualifikuan Rumania dhe Zvicra, teksa Kosova e mbylli në vendin e parafundit.

Albion Rrahmani shprehi keqardhje për faktin që “Dardanët” nuk arritën kualifikimin historik, teksa tha se ishte i befasuar që rumunët siguruan kualifikimin si liderë të grup.

“Na vjen keq që nuk u kualifikuam në EURO. Është një gjë e keqe për të gjithë. Për lojtarët, për tifozët, por ky është futbolli. Duhet të qëndrojmë të përulur, të punojmë shumë për ndeshjet e radhës, po përgatitemi për Botërorin dhe shpresojmë të kualifikohemi në këtë kompeticion. Ne jemi një ekip shumë i mirë, vetëm duhet të mbajmë qëndrimin tonë dhe të punojmë shumë, dhe një ditë do të kualifikohemi, ky është një premtim që ua bëj të gjithë tifozëve në Kosovë. Një ditë, ëndrra do të bëhet realitet. Kualifikimi i Rumanisë nga pozita e parë ishte pak befasues sepse të gjithë prisnin që Zvicra ta zinte këtë vend në renditje, por Kombëtarja e Rumanisë luajti shumë mirë, nuk humbi asnjë ndeshje, e meritoi vendin e parë dhe kualifikimin në EURO. Nuk e di se çfarë rruge do të ndjekin në fazën tjetër, por mbetet për t’u parë”, deklaroi Rrahmani.

Ai pastaj foli edhe për mënyrën se si është parë kalimi i tij në Rapid në Kosovë.

“Tifozët nga Kosova më mbështetën kur zgjodha të vij në Rapid dhe ata i shikojnë ndeshjet tona dhe ende më mbështesin, i shoh gjithmonë në komentet e postimeve të klubit. E morën shumë mirë këtë lajm dhe thanë se po bëj hapin më të mirë për karrierën time. Për mua është shumë e rëndësishme të kem mbështetjen e tyre dhe të dëgjoj këto fjalë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe dua të luaj sa më shpejt që të mund të vazhdoj atë që kam filluar”, u shpreh autori i gjashtë golave dhe dy asistimeve në gjashtë paraqitjet e tij në elitën e futbollit rumun.

Albion Rrahmani u pyet pastaj se si duket një ditë e jetës së tij dhe çfarë bën ai në kohën e lirë.

Përgjigja e tij ishte: “Ndonjëherë zgjohem në 7, ndonjëherë në 8, në varësi të fizioterapisë ose stërvitjes. Zgjohem dhe shkoj direkt për të bërë dush. Unë ha mëngjes në 8. Zakonisht ha vezë, qumësht dhe përgatitem për të ardhur në stërvitje. Më duhet të ha në mëngjes para stërvitjes. Shikoj filma, kaloj kohë me babin tim, ndonjëherë luaj PlayStation ose luaj CS:GO. Ditët e mia jashtë stërvitjes janë pak a shumë të tilla: luaj lojëra, shikoj filma dhe sigurisht shikoj lojëra. Çdo ditë kam ndjekur të gjitha ndeshjet kualifikuese të EURO. Tani që ka përfunduar, skuadra jonë ka një lojë të hënën dhe mezi pres të shkoj në stadium, të shikoj ndeshjen dhe shpresoj të marr tre pikët në fund”.

I pyetur për ndeshjet e kundërshtarëve në kampionatin rumun, Rrahmani tha: “Ndeshjet në Rumani i ndjek. Shikoj sa herë e di se ka ndeshje sepse dua të di se cili është niveli i ligës sonë. Ne duhet të shikojmë kundërshtarët tanë dhe të shohim se çfarë bëjnë ata”.

Në fund të intervistës, reprezentuesi i Kosovës u dërgoi një mesazh tifozëve të Rapidit: “Faleminderit shumë për mbështetjen që më jepni. Do të rikthehem shumë shpejt në fushë dhe do të jap 100% në çdo ndeshje. Ju premtoj se një trofe do të vijë te Giulesti!”.Sinjali

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i njohur, Blero i cili i është bashkuar kastit…